Ngërçi politik, Lidhja e Historianëve në Deçan thirrje presidentes Osmani: Shqyrtoje shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

nga D. V.

Dega e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Deçan ka shprehur shqetësimin e saj për faktin se edhe në mbledhjen e 41-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk u arrit konstituimi i tij dhe vazhdimi i punimeve parlamentare, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe takimeve konsultative të Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani-Sadriu, me përfaqësuesit politikë.

Në reagim thuhet se ky bllokim i vazhdueshëm i Kuvendit përbën shkelje serioze të rendit kushtetues, paralizon funksionimin e institucioneve demokratike dhe minon besimin qytetar ndaj sistemit përfaqësues.

“Është e qartë se pa vullnet të sinqertë politik dhe marrëveshje ndërmjet akterëve institucionalë, vendi nuk mund të dalë nga kjo krizë.

Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë përfaqësues dhe legjislativ, nuk guxon të jetë peng i interesave të ngushta partiake apo i kalkulimeve politike afatshkurtra. Në këtë rrethanë, mosrespektimi i afateve kushtetuese dhe i vendimeve të gjykatave është i papranueshëm dhe i rrezikshëm për stabilitetin institucional”, thuhet tutje.

Lidhja e Historianëve thekson tutje se duke pasur parasysh se tashmë kemi hyrë në gjashtëmujorin e dytë të vitit, kur zakonisht nis procesi i hartimit të projektbuxhetit për vitin 2026, dhe gjithashtu jemi përballë një vakumi të pritshëm institucional, meqë Presidentja e re e Republikës duhet të zgjidhet në fillim të vitit 2026, ndërkohë që kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale, Kosova po rrëshqet drejt një paralize të plotë institucionale.

“Kjo situatë e pazgjidhur paralizon funksionimin normal të shtetit, bllokon vendimmarrjen dhe dëmton perspektivën demokratike dhe zhvillimore të vendit.

Përballë kësaj gjendjeje, i bëjmë thirrje Presidentes së Republikës që të shqyrtojë seriozisht shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si një masë kushtetuese për mbrojtjen e rendit demokratik, të sigurisë institucionale dhe të interesit publik”, thuhet në reagim.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More