Nis vaksinimi kundër gripit i personelit në QSUT, Çomo: Mjeti më i fortë që parandalon

nga D. V.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka nisur vaksinimi i stafit mjekësor kundër gripit sezonal 2025-2026.

Drejtoresha e Spitalit Infektiv, prof. Najada Çomo, u bëri thirrje sot të gjitha stafeve mjekësore, infermierëve, stafeve mbështetëse dhe punonjësve të kujdesit social e shëndetësor të kryejnë vaksinën.

“Stafi i shërbimit infektiv, i cili përballet me pacientë që kanë sëmundje të ndryshme virale përfshirë edhe gripin sot nisi procesin e vaksinimit. U vaksinuan një grup mjekësh, infermierësh, sanitarësh. Në ditët në vijim do të përfundojmë vaksinimin e plotë të stafit që punon në shërbimin infektiv”, theksoi Çomo, në një video të publikuar në rrjetet sociale nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Çomo vuri në dukje se vaksina kundër gripit është mjeti më i fortë që parandalon infektimin nga virozat e stinës.

“Ndaj ata që janë persona që kanë sëmundje kronike, që janë staf mjekësor apo që punojnë me pacientë siç janë psikologë, sociologë, që punojnë në azilet e të moshuarve janë të lutur që të nxitojnë për t’u vaksinuar në vendet e punës ku vaksina ka mbërritur”, tha Çomo.

Ndërkohë që MSHMS bën të ditur se të gjithë qytetarët që duan të kryejnë vaksinën mund ta rezervojnë ditën e tyre në e-Albania.

MSHMS i bën apel qytetarëve të vaksinohen në qendrat e vaksinimit më të afërta, pasi vaksina shpëton jetë dhe në këtë mënyrë mbroni veten dhe të tjerët rreth jush.

Fushata e vaksinimit antigrip ka nisur në datën 22 shtator, ndërsa janë 280 mijë doza vaksinash në dispozicion të qytetarëve të shpërndara në qendrat shëndetësore në vend.

Vaksinimi i personelit shëndetësor po vazhdon në të gjithë vendin, ndërsa janë njoftuar qytetarët e moshës së tretë, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të gjithë personat që kanë sëmundje bashkëshoqëruese.

Në udhëzimet e MSHMS-së thuhet se vaksina antigrip mund të bëhet nga personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal. E këshillueshme është që vaksina të bëhet edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More