Tetovë, 19 shtator – Në kuadër të vizitës në Universitetin e Tetovës, një delegacion nga Kolegji i Edukimit i “Northern Illinois University”, i përbërë nga dr. Meri Erik, Dr. Jenica Guzman, Dr. Dana Isavi, Dr. Erik Junko, Kristin Li dhe Makbule Irem Pilgir, më 18 shtator 2025, realizoi një agjendë të ngjeshur pune.
Siç njofotjnë nga Zyra për informim pranë UT-së, në ambientet e Fakultetit Pedagogjik, anëtarët e delegacionit zhvilluan dy punëtori paralele me profesorë të shkollave të mesme dhe mësimdhënës të shkollave fillore, ku u diskutua mbi traumat dhe shkathtësitë socio-emocionale.

“Pas punëtorive, mysafirët nga SHBA ndoqën një video-dokumentar mbi historikun e themelimit të Universitetit të Tetovës, i cili pasqyron rrugën e vështirë, sakrificat dhe rezistencën e popullatës shqiptare për themelimin e këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e atëhershme”, thuhet në kumtesë.
Agjenda e ditës u përmbyll me vizitën në Muzeun Historik të Universitetit të Tetovës në fshatin Poroj, ku delegacioni u njoh nga afër me dëshmi autentike të themelimit të UT-së në vitin 1994, shtypin ditor dhe periodik të kohës, si dhe materiale të tjera me rëndësi që sot shërbejnë si objekt studimi për hulumtuesit vendas dhe ndërkombëtarë.

Në vijim, ata vizituan edhe qendrën rekreative-turistike Kodra e Diellit, ku u njohën me potencialet natyrore dhe turistike.