Një vit nga sulmi terrorist në Banjskë dhe aktakuza ndaj 45 personave – përshirë Milan Radoiçiqin, ish nënkryetarin e Listës Serbe

nga D V

Sot më 24 shtator 2024 janë bërë një vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, një tjetër u plagos dhe një u lëndua.

Sulmi terrorist ishte organizuar nga një grup serbësh, ku organizator dhe pjesëmarrës ishte ish-nënkryetari i Listës serbe, Milan Radoiçiq, person ky i afërt me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vetë Radoiçiq, përmes avokatit të tij kishte pranuar se ishte organizator dhe pjesëmarrës në sulm.

Deri tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 45 personave, ndërkaq ata akuzohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarje e parave”.

Zyrtarë shtetërorë të Republikës së Kosovës këtë sulm e kanë quajtur akt agresioni nga Serbia ndaj shtetit të Kosovës.

Çfarë ndodhi më 24 shtator 2023?

Sulmi terrorist në Banjskë nga një grup serbësh, të udhëhequr nga Milan Radoiçiqi ndodhi më 24 shtator 2023, ditë e diele.

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës të asaj dite, njësia policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë.

Siç thuhet në dosjen e Prokurorisë, të publikuar nga mediat rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit dhe ishin afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte.

Sulmi nga grupi terrorist ka vazhduar deri diku rreth orës 15:00 kur shumica dërmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Serbi, e ku nga kundërpërgjigja që kishin marr nga Policia e Kosovës kanë mbetur disa të vrarë.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.

Përgjegjësinë ai e kishte marr përmes një letre që e kishte lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ku ishte njoftuar edhe dorëheqja e Radoiçiqit nga pozita si nënkryetar i Listës serbe, shkruan Telegrafi.

Akuza ndaj të dyshuarve për sulm terrorist në Banjskë

Prokuroria Speciale e Kosovës pak ditë më parë ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në rastin e sulmit terrorist që ndodhi vitin e kaluar në Banjskë. Në mesin e personave që është ngritur aktakuzë është edhe Milan Radoiçiqi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se është punuar intensivisht për të arritur deri te ngritja e kësaj aktakuze.

“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Prokurori i rastit, Naim Abazi ka njoftuar se janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.

“Aktakuza përfshinë 45 persona që kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste e deri tek financimi dhe shpëlarja e parave. Ndër të akuzuarit kryesor është edhe Milan Radoiçiq si udhëheqës i grupit”, ishte shprehur Abazi.

Prokurori ka shtuar se janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe 1266 armë dhe pajisje të tjera dhe se kanë siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike.

“Gjatë këtij hetimi kemi hasur edhe në sfida duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar, vështirësisë në gjurmimin e fondeve të shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjikeve të avancuara për përfshirje në aktet kriminale nga ana e të akuzuarve”, ka deklaruar Abazi, raporton Telegrafi.

“Tek vepra penale e “Shpëlarjes së parave” është zbuluar se fondet janë transferuar nëpërmjet rrjeteve të ndërlikuara financiare duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime të pasurive të paluajtshme”, tha ai, siç njofton Telegrafi.

Abazi shtoi se nga kjo aktakuzë presim që të gjithë të përfshitë në këtë rast të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.

“Presim që ky rast të shërbejë si paralajmërim për të gjithë ata që mendojnë të shkelin ligjin dhe të rrezikojnë sigurinë publike në vendin tonë”, ka thënë Abazi.

Nga aq sa dihet deri tani, nga këta 45 të akuzuar, vetëm tre prej tyre janë arrestuar në autoritetet e Kosovës dhe ata janë Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Të njëjtit janë në paraburgim.

SHBA mirëpret ngritjen e aktakuzës: Të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin në Banjskë, duhet të mbajnë përgjegjësi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka vlerësuar punën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për organizimin dhe kryerjen e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane ditë më parë ka deklaruar për Telegrafin se SHBA vlerëson përfundimin e hetimeve për rastin Banjskë.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për përfundimin e hetimit të sulmit në Banjskë dhe ngritjen e aktakuzës. Gati një vit ka kaluar që nga ky krim brutal që vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë se të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhej në përgjigjen e ambasadës për Telegrafin.

Ambasada e SHBA-së gjithashtu inkurajon respektimin e procesit gjyqësor dhe sundimin e ligjit, duke kërkuar durim ndërsa ky rast kompleks të trajtohet në gjykata.

Ata përsëritën mbështetjen e fuqishme për sundimin e ligjit, drejtësinë e barabartë dhe qeverisjen e mirë në Kosovë.

Edhe Bashkimi Evropian (BE) e ka mirëpritur vendimin e Prokurorisë së Kosovës për të ngritur aktakuzë kundër disa dhjetëra të dyshuarve për organizim dhe kryerje të sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit vitin e kaluar, tha të enjten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

E lidhur me këtë kryeministri  Albin Kurti, ka thënë se aktakuza ka mundur të ngrihej më herët, por sipas tij, “më mirë vonë se kurrë”.

Ai e përsëriti kërkesën e autoriteteve kosovare që Serbia të bashkëpunojë dhe ta dorëzojë tek ato Radoiçiqin, sepse “krimin e ka kryer në Kosovë, e Banjskë është në Zveçan të Kosovës”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More