Shkup, 12 shtator – Në nenin 5 paragrafi parë në ligjin për arsimin fillor thuhet “Në edukimin dhe arsimin fillor ndalohet çdo diskriminim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë pavarësisht përkatësive të ndryshme etnike, sociale, nacionale, racore..”etj. Që i bie qysh në fillim institucionet arsimore bien në kundërshtim dhe shkelin me dy këmbë ligjin për arsimin fillor, sepse nxënësve të Çashkës u mohet arsimimi në gjuhën amtare, pra janë të diskriminuar në bazë etnike, edhe pse janë shqiptarë ata duhet dhe janë të detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase. Mes tjerash e drejta për arsim në gjuhën amtare është e drejtë e garantuar me ligj dhe Kushtetutë, por tani kur flasim për nxënësit e Çashkës të cilët ende vijojnë mësimin në gjuhën maqedonase a po shkelet Kushtetuta? A kemi shkelje të Kushtetutës, apo kur flasim për diskriminim të shqiptarëve edhe nëse nuk respektohet Kushtetuta nuk është punë e madhe! Për disa vite me radhë kjo çështje nuk gjeti akord mes të gjitha palëve sepse pengesa kryesore janë bordi i shkollës dhe këshilli i prindërve, dhe rezultati përfundimtar nxënësit shqiptarë të Çashkës duhet të mësojnë maqedonisht, shkruan Zhurnal.
Nxënësit e Çashkës akoma pa shkollë në gjuhën shqipe –
Fëmijët shqiptarë në Çashkë edhe sivjet nuk do të gëzojnë të drejtën e tyre për të mësuar në gjuhën amtare. Kjo ndodhë pasi shkolla e re fillore “Dituria” që u paralajmërua nga Qeveria e kaluar, edhe më tej nuk ka filluar të ndërtohet, ndërsa në Todor Janev, përsëri nuk lejohen të mësojnë shqip por vetëm në gjuhën maqedonase. Madje 10 nxënës, 3 të klasës së parë që janë regjistruar sivjet dhe 7 të klasës së dytë, tani për tani nuk ndjekin fare mësim pasi nuk kanë se ku ta ndjekin. Ata janë të detyruar që të mbajnë orë mësimore në hapësirë të improvizuar, gjegjësisht në mektebin e xhamisë në fshatin Banjicë, e që e njëjta do të jetë e gatshme brenda dy javësh.
Shkolla e re fillore “Dituria” e që do të jetë modulare, pritet të ndërtohet në afat prej dy muajve. Në fakt, ajo duheshte që deri tani të jetë gati por është vonuar përshkak zgjedhjeve. Siç njoftoi kryetari i komunës së Çashkës, Goran Stojanovski, kjo shkollë do të ketë tre klasa dhe do të mësojnë fëmijët deri në klasë të pestë, që gjithsej janë 30 nxënës.
Megjithatë, fillimi me punë i kësaj shkolle duket se do të zgjasë më shumë se dy muaj pasi ende nuk është formuar subjekt juridik, ndërsa ka vetëm një mësimdhënës. Nevojiten së paku tre dhe të emërohet drejtori i shkollës.
Ndërkohë ish ministri i arsimit Jeton Shaqiri, publikoi një dokument nga gazeta zyrtare e datës 23 gusht, e ku shihet se për shkollën modulare “Dituria”, pas ribalansit të buxhetit, mjetet prej 8 milion denarëve janë shkurtuar në vetëm 10,000 denarë. Pyetëm Ministrinë e Arsimit nëse kjo është e vërtetë dhe nëse po, pse janë shkurtuar mjetet, por deri në këto momente nuk morëm përgjigje. Shkurtimi i mjeteve me shumë mundësi do të pamundësojë dhe ndërtimin e objektit shkollor pasi 10 mijë denarë janë shumë pak për një objekt të tillë.
Për nxënësit e Çashkës mësimi në gjuhën shqipe u bë çështje historike –
Para fillimit të çdo viti shkollor, banorët shqiptarë të komunës së Çashkës kërkojnë nga shkolla fillore “Todor Janev” që fëmijët e tyre të mund të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, ashtu siç ua garanton kushtetuta, në gjuhën shqipe.
Prej kur është premtuar shkolla në fshatin Çashkë po të ishte realizuar tani do të ishte koha të flitej për renovimin e kësaj shkolle, por ja që mbetet ende temë që duhet të flitet për ndërtimin e kësaj shkolle që është jetike për nxënësit e këtij fshati që të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare, shqipe. Politikanët tanë e kanë kuptuar se më e lehtë se të premtosh është të mos realizosh, sepse në këtë vend askush për asgjë nuk kërkon llogari.
Nxënësit e fshatit Çashkë, nuk kanë kërkuar laboratorë e as tabela digjitale, thjesht vetëm atë për të cilën kanë nevojë një shkollë që të mësojnë në fshatin e tyre e në gjuhën e tyre. E tani kur flitet për ndryshim të statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, e për atë se sa është e zbatueshme gjuha shqipe në RMV kemi ende raste që nxënësve shqiptarë nuk u garantohet mësimi në gjuhën shqipe.
Rasti i tillë, është në fshatin Çashkë që nuk po gjinden dot një zgjidhje e përshtatshme që nxënësit të mos mësojnë në gjuhën maqedonase, sepse elementi kryesor i asimilimit është gjuha. Si zgjidhje e përkohshme është gjetur hapja e një paralele në gjuhën shqipe por as kjo nuk po funksionon pasi prindër të shumtë maqedonas me muaj të tërë protestojnë kundër këtij vendimi.
Ndryshe, numri i nxënësve që presin zgjidhje është 72. Se a do t’ia marrë MASH kompetencat komunës nëse nuk rregullohet kjo çështje, mbetet të shihet në ditët në vijim. Sepse, ka qenë praktikë e MASH të marrë kompetencat në arsim në Komunën e Gostivarit kur bëhej fjalë për shkarkime dhe emërime të drejtorëve të shkollave, tani kur flitet për të siguruar të drejtën elementare për arsimim pritet të veprohet sa më parë, komfor gjitha mekanizmave që i ka kjo Ministri. /Zhurnal.mk