Shkup, 21 tetor – Oda veterinare e Republikës së Maqedonisë së Veriut në tërësi mbështet të gjitha aktivitetet dhe masat e ndërmarra nga organet kompetente në lidhje me ngjarjet e fundit, të lidhura me zbulimin e një infulence aviare tek shpendët në Kopshtin zoologjik të Shkupit.
“Duke kuptuar plotësisht sensitivitetin e individëve dhe grupeve në lidhje me trajtimin dhe mirëqenien e kafshëve, për të cilat ne angazhohemi sinqerisht dhe thelbësisht dhe jemi pjesë e etikës dhe praktikës sonë profesionale, i theksojmë opinionit se sistemi shëndetësor veterinar ka qëllim parësor mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe ekonomisë në vend. Rrjedhimisht, në kushtet e shfaqjes së sëmundjeve infektive, veçanërisht të rrezikshme me një potencial të madh për të kërcënuar shëndetin publik, si në rastin e gripit të shpendëve, nevojitet të merren masa drastike për eliminimin e burimit dhe përhapjes së infeksionit”, theksohet në kumtesën e Odës së veterinarëve.
Procedurat dhe masat në rastet e shpërthimeve të sëmundjeve infektive zooantroponozë – sëmundje që kalojnë nga kafshët te personat, siç shtohet, janë përcaktuar nga institucionet ndërkombëtare dhe duhet të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme.
“Në lidhje me këtë, theksojmë se disa lloje të virusit të influencës aviare të shpendëve janë vërejtur nga shkenca botërore si shkaktarë të sëmundjeve infektive me potencialin më të madh për një pandemi të re globale. Duke marrë parasysh të gjitha këto, ne bëjmë thirrje për qetësi dhe përgjegjësi sociale të të gjithë aktorëve në shoqëri, pa krijuar klimë mosbesimi dhe penguar aktivitetet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e shëndetit publik dhe shëndetit të kafshëve”, njofton Oda e veterinarisë.