Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike.
Në njoftimin për media bëhet e ditur po ashtu se është vënë masa “Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik”, për një punonjës të DPSHTRR, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
“Si rezultat i një hetimi 6-mujor të kryer me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, për një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, në Greqi, u finalizua faza e dytë e operacionit policor antidrogë të koduar ‘Shufrat’. Gjatë kësaj faze:
– u ekzekutua masa e sigurisë ‘Arrest në burg’, për shtetasit E. M., 38 vjeç, banues në Tiranë dhe I. O., 62 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale ‘Trafikim i narkotikëve’, kryer në bashkëpunim. (Shtetasi I. O., aktualisht i arrestuar në Malin e Zi, për të njëjtën vepër penale);
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas bashkëpunonin me dy shtetasit që u arrestuan më datë 18.11.2024, pasi tentuan të trafikonin në Greqi, 56 kg cannabis sativa, që e kishin fshehur në 44 shufra metalike të montuara në tavanin e kamionit.
“Gjithashtu, u ekzekutua masat e sigurisë ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik’, për shtetasin A. H., 63 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i DPSHTRR, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, pasi nga hetimet dyshohet se ka ndryshuar targat dhe pronësinë e automjeteve të përdorura në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.