Pa paga, punëtorët e RTK-së paralajmërojnë protestë për të hënën

nga L. M

Një grup punëtorësh të RTK-së, të cilët nuk janë të organizuar në asnjë sindikatë, kanë paralajmëruar një protestë paqësore për të hënën, më 18 gusht 2025, për shkak të vonesës së pagave për muajin korrik.

Protesta është paralajmëruar të mbahet nga ora 09:30 deri në 10:30, para objektit të RTK-së në rrugën “Xhemail Prishtina” në Prishtinë. Organizatorët theksojnë se protesta do të jetë paqësore dhe nuk do të ndikojë në rendin publik.

“Kërkesa jonë është e vetme dhe e qartë: ekzekutimi i menjëhershëm i pagave”, thuhet në njoftimin e punëtorëve.

Kësaj proteste i është bashkuar edhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), e cila bën thirrje për mobilizim të përgjithshëm të punëtorëve, duke e konsideruar këtë veprim si të domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

SPERTK rikujton se protesta e parë për këtë çështje është mbajtur më 6 gusht, dhe paralajmëron se aktivitetet sindikale do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave.

“Ky angazhim dëshmon se veprimet tona kanë të vetmin qëllim, sigurimin e pagave, jo interesa personale” thekson sindikata.

Sindikata njoftojnë se në rast se pagat ekzekutohen para datës së protestës, ajo do të anulohet, dhe do të pasojë një njoftim zyrtar për këtë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More