Shkup, 1 nëntor – Votimi për personat e sëmurë dhe të paaftë, për ata që ndodhen në paraburgim apo në vuajtje të dënimit, si dhe për qytetarët e vendosur në institucione për kujdes jashtëfamiljar, po zhvillohet sot pa pengesa në të gjitha komunat ku nesër do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale – njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).
Sipas KSHZ-së, votimi ka filluar në orën 7 të mëngjesit dhe po realizohet pa probleme në të gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit.
Të dhënat e Komisionit tregojnë se sot të drejtën e votës po e realizojnë 4.826 persona të sëmurë dhe të paaftë, 1.256 persona të vendosur në 14 institucione ndëshkimore-korrektuese dhe 214 qytetarë në 13 qendra për kujdes jashtëfamiljar.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale 2025 do të mbahet nesër, kur do të votohet për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe në tre vendvotime në Shuto Orizare për zgjedhjen e këshilltarëve.
Sipas listës zgjedhore, të drejtë vote kanë gjithsej 1.013.375 qytetarë.