Shkup, 6 dhjetor – Është zyrtarizuar procedura për rritjen e pagave të punonjësve shëndetësorë, pasi sot ishte nënshkruar Aneks i Marrëveshjes Kolektive për Veprimtari Shëndetësore me Sindikatën e Pavarur të Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në konferencë për media informoi se janë kryer korrigjime të koeficienteve në Aneks në bazë të rritjes së pagës minimale bruto në mars të këtij viti, e cila ishte rritur në vlerë bruto prej 29.739 denarë në 33.352 denarë ose për 3.613 denarë.
Në bazë të korrigjimit të pagës minimale është bërë korrigjim i koeficientëve në Marrëveshjen Kolektive në të gjitha grupet e kompleksitetit, me koeficient 0,233, që në vlerë bruto është 3.636 denarë, njoftoi Taravari.
Ministri sqaroi se Marrëveshja Kolektive i përmban të gjitha profilet e punonjësve shëndetësorë me arsim të mesëm dhe atë motrat medicinale të cilat janë në numër më të madh, laborantët, fizioterapeutët dhe punonjës të tjerë shëndetësorë me arsim të mesëm, për të cilët është paraparë rritje për 5.681 denarë, në vlerë bruto.
Ai gjithashtu informoi se është kryer korrigjim i profesioneve në bazë të Ligjit për mbrojtje shëndetësore, me të cilin farmacistët si punonjës shëndetësorë me arsim të lartë janë barazuar me mjekun e mjekësisë dhe mjekun e stomatologjisë.
“Duke e pasur parasysh specifikën e punës së mjekëve në Ndihmën Urgjente Mjekësore, parapamë edhe stimulimin e mjekëve të medicinës të cilët punojnë në ndihmën urgjente mjekësore me koeficiente më të lartë të kompleksitetit nga mjekët e tjerë të mjekësisë”, tha ministri.
Gjithashtu, duke pasur parasysh edhe kompleksitetin e punës, theksoi ai, është paraparë edhe rritje e koeficienteve të kompleksitetit për bashkëpunëtorët shëndetësorë fizikanë të cilët punojnë në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë.
“Gjithashtu, dua të theksoj se kemi mundësuar rritje të pagës për punë në repartin e kujdesit shëndetësor gerontologjik dhe paliativ, si shtesë për punë në kushte më komplekse se ato të rregullta, si dhe rritje të pagës së punëtorëve në kujdesin intensiv në Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, me të cilën korrigjojmë padrejtësinë që iu është bërë në periudhën e kaluar kur ishin lënë anash”, theksoi Taravari.
Ai sqaroi se për shkak të ndryshimeve të cilat do të bëhen me aneksin për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes Kolektive për Veprimtari Shëndetësore, nevojiten që të bëhen ndryshime me anekse për ndryshimin dhe plotësimin e marrëveshjeve kolektive, me të cilat bëhet rritje e pagave të të punësuarve në institucionet publike në shëndetësi, me të cilët janë lidhur marrëveshje kolektive.
“Dua të falënderoj sindikatat për bashkëpunimin e deritanishëm të shkëlqyer dhe propozimet konstruktive në drejtim të avancimit të veprimtarisë shëndetësore”, shtoi ministri Taravari.
Predrag Serafimovski nga Sindikata e Qendrës Klinike tha se kjo luftë ishte e përbashkët edhe me ministrin që të arrihet suksesi. Ai dëshiroi sa më shpejtë që është e mundur të bashkohet Qendra klinike.
Lubica Karanfillovski nga Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale gjithashtu shfaqi kënaqësi nga ngjarja, duke theksuar edhe se paga gjithnjë ishte dhe do të mbetet temë aktuale.