Partia Demokratike kërkon që projektligji i ri për kërkimin shkencor në Shqipëri të tërhiqet, pasi sipas saj, bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligje të tjera, si ligji “Për Arsimin e Lartë” dhe ligjin “Për Akademinë e Shkencave”.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, tha se nesër ky projektligj është futur për miratim në komisionin përgjegjës, pa rregullore, për ta miratuar dhe kaluar në seancë plenare.
“Kërkimi shkencor dhe shkenca nuk është çështje elitare, por çështje kombëtare, sepse lidhet me zhvillimin e vendit, me kapitalin njerëzor të vendit dhe me të ardhmen e tij si vend i zhvilluar, apo si vend “depozitimi mbetjesh, refugjatësh, droge, krimi””, tha Zhupa.
Në një deklaratë për mediet, Zhupa ka renditur arsyet themelore se pse ky projektligj është i papranueshëm për Partinë Demokratike.
“Së pari, ligji duhet të mos bjerë në kundërshti me Kushtetutën, siç bie tashmë në pikën 7, të nenit 57 ku thuhet se, “autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj””, tha Zhupa.
Së dyti, sipas Zhupës, gjithë përplasjet me ligjin “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor” duhet të zgjidhen në mënyrë integrale në ligj.
“Së treti, zhbërja e këshillit shkencor me përbërje ministrash dhe drejtorësh politikë, me në krye kryeministri Rama, është një model antishkencor dhe antieuropian”, u shpreh Zhupa.
Deputetja e PD-së tha se projektligji i jep tagër ministrit të klasifikojë fushat e kërkimit shkencor, si detyrim për shkencën, ndërkohë kjo është pa sens.
“Tjetër është liria për kërkimin shkencor, dhe tjetër janë prioritetet që mund të ketë shteti dhe shoqëria në këtë fushë”, tha Zhupa.
Së pesti, nënvizon deputetja demokrate, projektligji i propozuar i jep role dhe funksione të jashtëligjshme Akademisë së Shkencave.
“Së gjashti, krijon mbivendosje, paqartësi dhe përplasje në përfitimin e titujve dhe gradave dhe krijon emërtime të reja për kërkimin shkencor.
Së shtati, kriteret dhe procedurat për krijimin e instituteve dhe të njësive të veçanta publike të kërkimit shkencor, si dhe krijimi i tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, u shpreh Zhupa.
Së fundmi, u shpreh deputetja demokrate, mbyllja e instituteve shkencore ka nonsense me procese që varen nga ministria: fillimisht i paralajmëron, pastaj i vrojton dy vjet dhe më pas i mbyll.
Për këto arsye, por edhe të tjera, tha Zhupa, “kundërshtojmë plotësisht draftin në Kuvend dhe bëjmë thirrje për tërheqjen e tij”.