Shkup, 2 maj – Në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës, tek memoriali i dëshmorëve do të mbahet manifestini përkujtimor për 24 vjetorin e shpalljes së Zonës së lirë nga lufta e vitit 2001. Të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme do të jenë ish luftëtarë, familje të dëshmorëve, invalidë të luftës dhe mijëra qytetarë, kështu thuhet në paralajmërimin e organizatorëve. Madje, kjo është dëshmuar edhe nga organizimet e viteve të kaluar ku pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë masovike, dhe përmasat e këtij përkujtime janë jashtëzakonisht të larta, shkruan Zhurnal.
2 Maji paraqet ditën më të rëndësishme të UÇK-së dhe shqitarëve të Maqedonisë së Veriut e më gjërë –
Çdo vit, më 2 Maj, banorët e fshatit Sllupçan dhe më gjerë përkujtojnë një nga datat më të rëndësishme në historinë e re të kësaj zone, ditën kur kjo zonë u shpallë e lirë pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Kjo datë përfaqëson jo vetëm fundin e një periudhe të vështirë për qytetarët, por edhe fillimin e një kapitulli të ri, të mbushur me shpresë, angazhim për paqe dhe përpjekje për zhvillim të qëndrueshëm. Pas muajsh tensioni dhe sakrifice, 2 Maji u bë simbol i qëndresës dhe vendosmërisë për të jetuar me dinjitet në tokën e vet për secilin banor pa kurrfarë dallimi në përkatësi etnike apo fetare.
Në këtë ditë, organizohen aktivitete përkujtimore, tubime popullore dhe homazhe për të nderuar ata që sakrifikuan për lirinë dhe të ardhmen e këtij vendi. Për shumëkënd, 2 Maji nuk është vetëm një ngjarje historike, por një moment reflektimi dhe bashkimi.
“2 Maji është dita kur u rikthyem në shtëpitë tona me krenari, pas një periudhe të rëndë për të gjithë ne. Kjo datë është kujtesë se liria nuk dhurohet, por fitohet me përkushtim dhe sakrificë,” – thotë një banor i moshuar i fshatit për Zhurnal.
Sllupçani, si një nga qendrat kryesore të qëndresës gjatë vitit 2001, ka ruajtur gjallë kujtesën kolektive përmes brezave. Sot, ky fshat është simbol i identitetit, rezistencës dhe aspiratës për barazi dhe drejtësi. 2 Maji është më shumë se një përvjetor, është një amanet. Është dita që i rikujton brezave të rinj për gjakun e derdhur, për nënat që presin ende përgjigje, për dëshmorët që lanë pas emrin e tyre si flamur i lirisë. Në çdo rrugë të kësaj zone ndihen gjurmët e historisë, por edhe shpresat për një të ardhme më të ndritshme, më të drejtë dhe më të lirë.
Në këtë ditë, flamujt kombëtarë valojnë më krenarë se kurrë, fëmijët recitojnë poezi të ndjera, të moshuarit tregojnë rrëfime të paharrueshme, dhe brezi i ri përforcon lidhjen me identitetin dhe tokën. Është një ditë kur dhembja kthehet në forcë, dhe kujtimi në angazhim për të mos harruar kurrë. Kjo zonë mbetet vendi ku historia flet, dhe ku 2 Maji vazhdon të jetë një datë e rëndësishme për gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, si dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. /Zhurnal.mk