Përveç motit – na pret edhe verë e nxehtë politike!

nga Redaksia

Shkup, 4 korrik – Edhe pse zgjedhjet lokale do të mbahen në muajin tetor dhe ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve, në Maqedoninë e Veriut veç se ka filluar fushata zgjedhore. Kandidatët ende nuk janë finalizuar, ndërsa partitë politike kanë filluar me akuza e kundër akuza. Dikush lëvdërohet, dikush qahet e dikush akuzon se nuk është bërë asgjë. Kjo formë e fushatës paralajmëron një verë të nxehtë dhe me plot tension, shkruan “Zhurnal.mk”.

Partitë me deklarata çfarë është bërë e çfarë jo!

Nëse analizohen çështjet e fundit politike, del në pah se partitë veç se kanë filluar fushatën zgjedhore. Thuajse çdo ditë ka akuza nga partitë në opozitë dhe ka lëvdrata e kundër akuza nga partitë shqiptare në qeveri. BDI dhe ASH e Taravrit akuzojnë se nuk po bëhet asgje me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve, më rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe se rebalanci i buxhetit po anashkalon shqiptarët.

Nga ana tjetër VLEN përgjigjet me fakte se për herë të parë kanë sjell Ligj për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, që do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e punësimeve dhe përfaqësimit të shqiptarëve në administratë, se kanë zgjidhur problemin e pritjeve të qytetarëve nëpër kufinj me vendosjen e sistemit “One stop”, se janë zgjidhur të gjitha rastet e persona që nuk kishin nënshtetësi e shumë projekte të tjera në dobi të qytetarëve.

Përkundër këtyre temave të përgjithshme politike, kryetarët e komunave tani i kanë hapur kanalizimet, po i rregullojnë rrugët, po ndërtojën trotuare e projkete tjera minore sa për t’ua “larë sytë” popullatës e cila me vite kërkonte kushte elementare. Nga VLEN vazhdojnë të insistojnë se nuk e kanë ndërmend “të heshtin para krimit, korrupsionit, keqpërdorimit e keqmenaxhimit të viteve të kaluara dhe kurrë nuk do të rreshtim së kërkuari përgjegjësi aty ku duhet.

Qytetarët duan projekte konkrete

Fatkeqësisht qytetarët nuk po shohin projekte konkrete nga partitë politike të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Duhet që të prezantohen projekte konkrete dhe jo projekte grandioze, të cilat nuk përkojnë me mundësitë që ofron i buxheti komunal.
Me kalimin e kohës votuesit kanë filluar të bëjnë dallim mes projekteve të realizueshme dhe premtimeve boshe të cilat tash më shumë vite i kanë parë, por pasi mbeten të parealizuara nuk sjellin ndonjë rezultat për sa i përket cilësisë së jetesës në komunat ku jetojnë. Partitë tani duhet të orientohen nga ata kandidat që do të flasin për projekte konkrete në përputhje me mundësitë që i kanë komunat, shkruan “Zhurnal.mk”.

Na pret verë e nxehtë!

Kështu si kanë filluar punët, duket se do të ketë një verë të nxehtë politike. Aq më shumë që zvarritet moszgjidhja e problemeve, aq më shumë çështjet të hapura do të shndërrohen në temë të fushatës zgjedhore në të ardhmen.

Anashkalimi apo hezitimi për të marrë përgjegjësi, qoftë edhe morale, nuk është një temë e cila mund ta injorohet pavarësisht se bëhet fjalë për zgjedhje lokale. Zvarritja e përgjegjësisë për ata që nuk kanë kryer punët ashtu siç’ duhet e rrit debatin për mungesën e llogaridhënies së zyrtarëve.

E gjithë fushata duket se sërish do të bazohet në hapjen e temave etnike, kush është patriot e kush është tradhëtar. Sidomos te shqiptarët këto zgjedhje janë matje e forcave politike dhe kujt i përket legjitimiteti i votuesve shqiptarë. Për secilin tabor kjo fushatë do të jetë “jetë e vdekje” prandaj përveç motit të nxehtë, këtë verë do ta ngrohë më tepër edhe politika, prandaj duhet të kihet kujdes me gjuhën që përdoret nga politikanët dhe mos të lejohet tensionim i situatës, shkruan “Zhurnal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More