Pjesëmarrja aktive e deputetit Bekim Qoku në ngjarjen e APKE-së në Finlandë

nga D. V.

Shkup, 16 maj – Në kuadër të aktiviteteve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), deputeti Bekim Qoku, anëtar i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, po merr pjesë në ngjarjen dyditore që po mbahet në Helsinki të Finlandës.

Siç njofton pres shërbimi i Kuvendit, ngjarja e përfshin Konferencën kushtuar fatit të fëmijëve të deportuar nga Ukraina, si dhe mbledhjen e rregullt të Komitetit për Çështje Sociale, Shëndetësinë dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të APKE-së.

Deputeti Qoku dje mori pjesë në Konferencën me temë: “Fëmijët e deportuar ukrainas: Veprimet evropiane”, të organizuar në patronazhin e Zonjës së Parë të Finlandës, Suzan Elizabet Ines-Stab.

Në Konferencë folën folës të shquar, përfshirë Jusi Hala-Aho, kryetar i Parlamentit të Finlandës; Miapetra Kumpula-Natri, nënkryetare e APKE-së; Sani Gran-Laasonen, ministre e Sigurimit Social të Finlandës; Marija Tereza, dukeshë e madhe e Luksemburgut, si dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, OSBE-së, UNHCR-së, institucioneve gjyqësore të Ukrainës dhe ekspertëve juridikë ndërkombëtarë.

Sesionet u përqendruan në paligjshmërinë e deportimit të fëmijëve ukrainas, përgjigjet juridike dhe institucionale të BE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe nevojat për kthimin, rehabilitimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.

Qoku sot merr pjesë në mbledhjen e Komisionit për Çështje Sociale, Shëndetësinë dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, të mbajtur në Parlamentin e Finlandës (Pikkuparlamentti). Në të marrin pjesë parlamentarë nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Mbledhja është pjesë e aktiviteteve të rregullta të Komisionit dhe mbulon një gamë çështjesh aktuale me rëndësi më të gjerë evropiane në fushat e politikave sociale, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Në rendin e ditës së mbledhjes janë përfshirë disa pika të rëndësishme, mes tjerash: Shqyrtimi i udhëzimeve evropiane për parandalimin e dampingut social dhe forcimin e mekanizmave të negociatave kolektive; Zhvillimi i tranzicionit të drejtë dhe të qëndrueshëm energjetik, në përputhje me drejtësinë sociale; Debati mbi mobilizimin social, trazirat civile dhe reagimin policor në vendet anëtare, me theks në nevojën për një “kontratë sociale” të re; Kriza humanitare në Gaza, me fokus tek gratë, fëmijët dhe pengjet, me ç’rast do të diskutohet mbi hapat e mundshëm urgjentë nga Asambleja Parlamentare dhe shqyrtimi i propozim-protokollit të Konventës për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë, në fushën e shtrimit të detyruar në spital dhe trajtimit të shëndetit mendor.

Gjatë mbledhjes u miratuan konkluzione në lidhje me programin e punës së Komisionit, emërimin e raportuesve të rinj, si dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të APKE-së në ngjarjet dhe konferencat e jashtme.

Në mënyrë plotësuese, Komisioni diskuton programin e tij të punës, prioritetet, raportuesit dhe pjesëmarrjen në ngjarjet ndërkombëtare në periudhën e ardhshme. Përmes pjesëmarrjes së Qokut në punën e Komisionit, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut merr pjesë aktive në krijimin e politikave për avancimin e standardeve të jetesës së të gjithë qytetarëve, me theks të veçantë në kategoritë e cenueshme dhe parimin e përfshirjes.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More