Pjesëmarrja e deputetëve Popov, Musa dhe Nikollovski në Konferencën e 10-të Globale për Parlamentarët e Rinj në Jerevan

nga Xh M

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga Sergej Popov, Mimoza Musa dhe Lupço Nikollovski, po merr pjesë në Konferencën e 10-të Globale për Parlamentarët e Rinj, që mbahet nga 12 deri më 14 shtator në Jerevan, Armeni.

Tema e kësaj konference vjetore “Shmangia e gjeneratave të humbura: Ruajtja e arsimit dhe punësimit në të gjitha rrethanat” përqendrohet në zgjidhjet për të siguruar qasje të vazhdueshme në arsim dhe mundësitë e punës për të gjithë të rinjtë.

Konferenca krijon mundësi të gjera për komunikim të ngushtë dhe shkëmbim përvojash. Përveç kornizës parlamentare, janë të përfshirë edhe përfaqësuesit e Qeverisë dhe shoqërisë civile.

Të pranishmit iu referuan krizave aktuale në botë, të cilat kanë ndikim negativ tek të rinjtë, veçanërisht në drejtim të realizimit të së drejtës së tyre për punësim dhe arsimim. Qëllimi i Konferencës është t’u japë mundësi të rinjve pavarësisht nga rrethanat e tyre.

Fjalime të hapjes në Konferencë kishin kryeministri Nikol Pashinjan, kryetari i Kuvendit Popullor të Republikës së Armenisë, Alen Simonjan, kryetarja e Unionit Ndërparlamentar, Tulia Akson dhe sekretari i përgjithshëm i Unionit Ndërparlamentar, Martin Çungong.

Në fjalimin e tij me temën “Rezervimi i fuqizimit të të rinjve në kohë krize: Çfarë mund të bëjnë deputetët e rinj?”, Sergej Popov tha se ndërkohë që përballemi me sfida të paprecedentë, përkushtimi ynë për fuqizimin e të rinjve nuk ka qenë kurrë më vendimtar. Si deputetë, ne qëndrojmë në krye të kësaj përgjegjësie. Në këto kohë të trazuara, ne zotërojmë perspektivë unike dhe rol thelbësor në formësimin e së ardhmes së kombit tonë.

Sipas tij, para së gjithash, deputetët duhet t’i ndjekin problemet dhe sfidat e të rinjve dhe të sigurojnë dialog me ta, sepse zërat e të rinjve tanë janë jehonë e aspiratave të së nesërmes.

Gjithashtu, Sergej Popov tha se duhet të inkurajohet inovacioni dhe kreativiteti dhe duhet të angazhohemi për arsimimin dhe zhvillimin e aftësive.

Në përfundim, Popov deklaroi se si deputetë të rinj kemi fuqinë dhe përgjegjësinë për të mbrojtur kauzën e fuqizimit të të rinjve. Duke dëgjuar, duke nxitur inovacione, duke investuar në arsim dhe duke udhëhequr me integritet, mund të bëjmë ndryshim të rëndësishëm.

Puna u zhvillua në sesione, ku u diskutuan temat e mëposhtme: Numërimi deri në vitin 2030: Ku jemi me arsimimin dhe punësimin e të rinjve?; Jetët e çrregulluara të të rinjve: Ndikimi i krizës në të drejtat socio-ekonomike dhe fuqizimin e të rinjve; Si ndikohen të drejtat e të rinjve nga kriza në vendin tim?; Të mos lëmë askënd pas: Sigurimi i arsimit dhe punësimit për më të cenuarit dhe më të margjinalizuarit; Rezervimi i fuqizimit të të rinjve në kohë krize: Çfarë mund të bëjnë deputetët e rinj?”

Në rrjedhën e punës, u mbajt edhe e ashtuquajtura jokonferencë ku parlamentarët e rinj, në kuadër të temës së përgjithshme të arsimit dhe punësimit të të rinjve në kohë krize, diskutuan mbi përdorimin e rezultateve të arsimit për të përmirësuar punësimin dhe zhvillimin nacional për gjeneratat e ardhshme dhe për solidaritetin global në krizë: Mbrojtja e arsimit në zonat e konfliktit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More