Partia e Lirisë ngriti sot shqetësimin e hartimit të tezave të provimeve të Maturës Shtetërore.
Në përfundim të sezonit të provimeve të Maturës Shtetërore 2025, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja, tha sot se “qindra maturantë kanë ngritur zërin duke denoncuar vështirësinë e pajustifikuara të provimeve”.
Sipas Merjes, “janë raportuar pyetje jashtë programeve zyrtare, struktura të paqarta testimi dhe një metodologji vlerësimi që lë shumë për të dëshiruar”.
Merja shtoi se “pakalueshmëria e lartë, po gjeneron një gjendje pasigurie dhe ankthi te mijëra familje shqiptare”.
“E gjithë pesha e një sistemi të dështuar bie mbi supet e një 18-vjeçari, i cili kërkon të ndërtojë të ardhmen e tij, por përballet me një mur burokracie dhe mungesë ndershmërie nga institucionet”, tha Merja.
Merja shtoi se “maturantët nuk shohin më arsimin si një mundësi, por si një pengesë”.
Nëpërmjet një deklarate për mediet, Merja i bëri thirrje qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që “të publikojnë pa vonesë statistikat e plota të kalueshmërisë për secilën lëndë dhe numrin e maturantëve që kanë mbetur; të ngrejë një grup pune të pavarur për të analizuar strukturën dhe përmbajtjen e provimeve të këtij viti; të hapë procesin e ankimimit, duke garantuar transparencë dhe një mundësi reale për çdo nxënës që ndjen padrejtësi; të rishikojë urgjentisht programet, mënyrën e testimit dhe politikat arsimore që kanë prodhuar këtë situatë dramatike”.
Sipas saj Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet të “pranojë se ky sistem arsimor ka nevojë për ndryshim rrënjësor”.