Tabaku: Propozimi i PS për Investimet e Huaja, arnim i rrezikshëm që kërcënon sigurinë kombëtare

nga D. V.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku tha sot se projektligji i propozuar nga Partia Socialiste për Investimet e Huaja është një arnim amator dhe një kopje e zbehtë e projektligjit të propozuar nga PD.

Duke iu referuar projektligjit të depozituar në Kuvend nga deputeti socialist Eduard Shalsi, që sot pritet të diskutohet në Komisionin e Ekonomisë, Tabaku e cilësoi këtë nismë si një “arnim socialist” dhe një përpjekje për të zëvendësuar një reformë të mirëfilltë me një draft të dobët e pa standarde.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Tabaku thekson se “arnimi shton një pikë të vetme në një ligj të vitit 1993”.

“Gjatë prezantimit të propozimit ligjor dëgjova të përmendej OECD – ndryshe nga sa u fol në atë mbledhje OECD kërkon: Ligj të qartë dhe të përditësuar; Proces transparent dhe të strukturuar; Komunikim institucional të qartë; Shmangie të çdo “vetingu të fshehtë””, shkruan Tabaku.

Sipas Tabakut, “të gjitha këto mungojnë në draftin e propozuar nga mazhoranca”.

“Ky arnim nuk është reformë dhe aq më pak një proces parandalues ndaj rreziqeve që mund t’i vijnë vendit tonë. Në të kundërt është tentativë për të larë duart si Ponc Pilati përpara një çështjeje serioze, që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë tonë kombëtare dhe partneritetin me BE-SHBA”, shkruan Tabaku.

Tabaku shtoi se “Shqipëria nuk ka luksin të jetë porta e pasigurisë në rajon”.

Duke theksuar rëndësinë strategjike të kësaj nisme për sigurinë ekonomike dhe kombëtare të vendit, Tabaku përsëriti angazhimin e Partisë Demokratike për të mbrojtur interesin publik dhe për të kërkuar miratimin e projektligjit të saj që ofron garanci maksimale ndaj investimeve të rrezikshme.

“Prej disa muajsh, Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një projektligj të plotë dhe serioz për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja, në përputhje me standardet e OECD, BE-së dhe SHBA-së. Ky projektligj synon: Të mbrojë interesin kombëtar nga investime që mund të vijnë nga aktorë të tretë me qëllime jo-strategjike; Të sigurojë transparencë dhe përgjegjshmëri në çdo proces që prek sektorët strategjikë të ekonomisë.

“Partia Demokratike do të vazhdojë të kërkojë miratimin e projektligjit që garanton standarde dhe mbrojtje për qytetarët dhe ekonominë, propozim ligjor që ofron sigurinë maksimale nga aktorë të jashtëm të rrezikshëm”, tha Tabaku.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More