Partia e Lirisë e cilësoi vendimin e djeshëm të Këshillit Bashkiak të Tiranës për Pallatin e Kongreseve si akt të rëndë të zhdukjes së pasurisë publike.
Në një deklaratë për mediet, Arla Merja, sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, tha se vendimi është “preludi i një skenari të njohur: shkatërrim, beton dhe koncesion për oligarkinë”.
“Kalimi i pronësisë së Pallatit të Kongreseve nga Bashkia Tiranë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë nuk është një vendim i pafajshëm burokratik. Është preludi i një skenari të njohur: shkatërrim, beton dhe koncesion për oligarkinë”, deklaroi Merja.
“Nën petkun e “ristrukturimit” dhe “zhvillimit ekonomik”, qëndron e njëjta logjikë që rrëzoi Teatrin Kombëtar, duke e shkatërruar në mes të natës me makina të blinduara, nën dhunën e policisë dhe heshtjen e pushtetit lokal. Sot, e njëjta gjë po ndodh me Pallatin e Kongreseve. Edhe ai do të zhduket, për t’ia lënë vendin një projekti luksoz, me interes vetëm për një grusht të pasurish që qarkullojnë gjithmonë rreth të njëjtit rreth politik dhe financiar”, u shpreh Merja.
Merja tha se ky pallat nuk është thjesht një ndërtesë, por është simbol i kulturës dhe historisë, një hapësirë publike që i ka shërbyer brezave me aktivitete, ngjarje, koncerte dhe simpoziume që kanë lënë gjurmë në kujtesën kombëtare.
Merja shtoi se kjo nuk është më çështje politike, por një çështje morale dhe qytetare.
“Ne nuk mund të lejojmë që Tirana të humbasë gjithçka që e bënte qytet me identitet. Tiranës nuk i duhet më një tjetër kullë. Tiranës i duhet dinjitet, trashëgimi dhe kujtesë”, the ndër të tjera Merja.