Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose paraqiti sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes shifrat e projektbuxhetit për vitin 2026 të institucionit që drejton.
Buxheti për sistemin e burgjeve për vitin 2026 parashikohet të arrijë në 9.76 miliardë lekë, një rritje prej 400 milionë lekësh. Në fjalën e tij, Qose theksoi se fondet do të shpërndahen në disa kategori bazë.
“Shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore 6.88 miliardë lekë, shpenzime të tjera koherente, 2.84 miliardë lekë, investime kapitale 518 milionë lekë, 5.3% e buxhetit ose me një rritje 100 milionë lekë, që përfshin ndërtimin e burgut të ri në Kukës, përmirësimi i infrastrukturës ndërtimore në 9 IEVP, rikonstruksioni i IEVP Fushë-Krujë 118 milionë lekë, studimi dhe projektimi për sistemin e burgjeve 3 milionë lekë”, tha Qose.
Qose sqaroi se fondet për digjitalizimin administrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, por përfitues final mbetet Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
“Vlerat monetare për digjitalizmin i kalojnë AKSH-it por që përfituar si drejtpërdrejt është Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, mbi bazën e kërkesave që realizojmë. Ndërtimi i sistemit antidron faza e parë ka përfunduar dhe ka filluar implementimin dhe pritet që për 2026 të fillojë faza e dytë. Ndërtimi dhe implementimi i platformës digjitale. Po digjitalizojmë gjithë sistemet e punës duke përfshirë dhe krijimin dhe realizmin e seancave gjyqësore me video call”, tha Qose.
Qose shpjegoi edhe projektet kryesore kapitale të planifikuara për vitin 2026.
“Sistemi i burgjeve parashikon të realizojë projekte kryesore për përmirësimin e kushteve fizike të jetesës, nëpërmjet përmirësimit të përgjithshme të infrastrukturës në IEVP, Peqin, Korçë, Fushë-Krujë në 189 milionë lekë, studime dhe projekte në 3 milionë lekë dhe ndërtimi i burgut të Kukësit 325 milionë lekë. Projekte kryesore të investimeve kapitale për implementim me grante të huaja të planifikuar për vitin 2025-2026, 291 milionë lekë. Rikonstruksioni IEVP Fushë-Krujë, faza e parë 151 milionë lekë, ndërtimi i qendrës së trajnimit Poligonit palestrës për Forcat Operacionale, 365 milionë lekë”, tha Qose.
Drejtori i Burgjeve kërkoi ndërtimin e një spitali të ri për trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor që janë të dënuar apo nën hetim (Forensik).
“Kërkohet përmirësim i kushteve infrastrukturore në trajtimin e të sëmurëve më trajtim të detyrueshëm apo të zakonshëm, ndërtim i spitalit Forensik për të gjithë të sëmurët me probleme të shëndetit mendor. Aktualisht është në Lezhë, ku akomodohen rreth 498 persona me probleme të shëndetit mendor. Kërkohet që të ketë një spital Forensik të posaçëm dhe vetëm për këtë kategori personash”, parashtroi Qose.
Kreu i Burgjeve sqaroi se “institucioni i Lezhës është institucion i ndërtuar për të qenë qendër paraburgimi e vuajtjes së dënimit, për këtë arsye në këto kushte do të thoja emergjente në i kemi akomoduar aty dhe përpiqemi që të realizojmë më të mirën e mundshme nga ana jonë, por për të realizuar 100% kërkesat e ligjit dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, kërkojmë ndërtimin e spitalit Forensik”.
Qose kërkoi fonde shtesë për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e kushteve në sistemin penitenciar.
“Kërkojmë fonde shtesë për plotësimin e nevojave në sistemin e burgjeve, rritje e sigurisë në sistemin e burgjeve nëpërmjet implementimit të tre projekteve IT, kërkesa që i janë drejtuar AKSHI-t konkretisht sistemi i integruar Data Net për të realizuar një qasje të mbyllur për të gjitha instruksionet sigurisë penitenciare, për të pasur akses të drejtpërdrejtë të pavarur ka apo nuk ka lidhje me DataNet-in e jashtë, por vetëm data net të brendshëm, një qark i mbyllur për komunikim të brendshëm të burgjeve.
“Sistemin e bllokimit të valëve në burgje, ose ndryshe i quajtur Jammer, të cilët shërbejnë për parandalimin e përdorimit të celularëve në burgje. Sistemi i sigurisë perimetral për parandalimin e arratisjeve dhe ndërhyrjeve nga jashtë”, tha Qose.