E Ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Ky takim, sipas ambasadës amerikane, është bërë për të nënvizuar nevojën urgjente që liderët politik të Kosovës të marrin përgjegjësi dhe të punojnë së bashku për të zgjidhur bllokadën institucionale.
“Ajo ka theksuar se një demokraci funksionale kërkon që të gjithë qytetarët të zgjedhin lirshëm përfaqësuesit e tyre” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Ambasadës.
Bllokimi i partive politike legjitime, përmes taktikave politike apo pengesave procedurale, sipas Ambasadës, kërcenojnë integritetin e procesit demokratik.
“E ngarkuara Prattipati ka nxitur të gjithë liderët që të kalojnë ndarjet dhe të përmbushin mandatin që ia besuan qytetarët e Kosovës” – citohet të ketë thënë Prattipati.
Për këtë takim kanë njoftuar edhe nga Kryeministria e Kosovës.
Sipas komunikatës së ZKM-së, në takim u fol për zhvillimet në vend e aktualitetin politik.
Po ashtu, në këtë takim është folur për marrëdhënies mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjykata Kushtetuese pritet të vendos rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, masa e përkohshme për të cilën përfundon më 08.08.2025.
Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media më 05.08.2025 ka njoftuar se ka tërhequr kërkesën që kishte parashtruar në Kushtetuese, pasi kjo gjykatë ka vendosur si gjyqtar raportues Radomir Llabanin, për të cilin ajo ka thënë se që nga viti 2018 ka informata se ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë.
Më 06.08.2025, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se do e respektojnë cilindo vendim të Kushtetueses.
Duke folur para gazetarëve, ai tha se nuk e di se cila do të jetë zgjidhja e Kushtetueses, por siguroi se do ta respektojnë atë.
“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të presim edhe fare pak ditë. Në këtë javë do të na njoftojnë se çka kanë menduar që duhet të ndodhë pas 30 ditëve- unë nuk e di se cila do të jetë zgjidhja natyrisht. Por ne kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Dëm i madh është që Kosova nuk ka Kuvend, por Kosova ka Qeveri në detyrë” – tha Kurti.
Kushtetuesja ka vendosur ex officio masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, krahas kërkesave të dorëzuara nga PDK dhe LDK. Me këtë vendim të datës 24.07.2025, në rast se nuk arrihet të konstituohet Kuvendi sikur është paraparë në afatin e mëparshëm të dhënë nga kjo Gjykatë (26 korrik), Kushtetuesja ua ndalon deputetëve që ndërmjet datave 27 korrik dhe 8 gusht të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, për herë të fundit u mblodhën në seancë konstituive më 26.07.2025.
Seanca konstituive kishte filluar më 15.04.2025.
Lëvizja Vetëvendosje e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka propozuar gjashtë herë Albulena Haxhiun për Kryekuvendare, por ajo asnjëherë nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.
Seanca konstituive mbeti në pikën e tretë të rendit të ditës- zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Dy pikat e para të rendit të ditës ishin votimi i raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve dhe betimi i deputetëve.
Seanca konstituive ka katër pika të rendit të ditës, e katërta është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin e Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025: me 9 vota për dhe 2 kundër në mbledhjen e së enjtes, më 27.03.2025.
Sipas këtij rezultati, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 mandate në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 vende në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.
Lista Serbe do t’i ketë 9 ulëse, ndërsa 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 ulëset e tjera janë fituar nga komunitetet tjera joshumicë. Dy deputetë i ka Kosova Demokratik Turk Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.