Nën drejtimin e prefektit të qarkut Kukës, Dritan Baji u zhvillua sot takimi i Taskforcës Vendore të Luftës kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit në qarkun e Kukësit.
Në këtë takim morën pjesë anëtarët e Taskforcës që janë përfaqësues të institucioneve qendrore në nivel vendor, strukturave ushtarake, përfaqësues nga bashkitë e qarkut Kukës, etj.
Përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese raportuan për punën e bërë deri tani dhe diskutuan mbi masat e marra për vitin 2025 në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Në fjalën e tij, prefekti Baji, u ndal në raportimet për vitin 2024.
Nga krahasimi me të njëjtën periudhë të vitit 2023, për vitin 2024, ai theksoi se, “kemi 11 raste kultivimi më pak; 6 840 bimë narkotike më pak, të konstatuara dhe 568 fidanë në kubikë më shumë”.
Në territorin e qarkut Kukës, për vitin 2024 janë konstatuar 18 raste të kultivimit të bimëve narkotike me 3 256 bimë të asgjësuara dhe 568 fidanë në kubikë.
Në fund të takimit, prefekti i qarkut Kukës, i dha vëmendje të shtuar bashkëpunimit ndërinstitucional dhe parandalimit të fenomenit, në mënyrë që ky qark të dalë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike.
Nga të gjithë anëtarët u miratua Rregullorja për Funksionimin e Taskforcës Vendore të Luftës kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit.