Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e shoqëruar nga deputetët Mimi Kodheli, Anduel Tahiraj, Milva Ekonomi dhe Eralda Bano, në datat 5 e 6 mars, po zhvillon një vizitë zyrtare në Poloni, ku zhvilloi një takim me kryetarin e parlamentit, Szymon Hołownia.
Vizita po kryhet në kuadrin e Presidencës polake të Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë të përbashkët për mediet me kryetarin e parlamentit të Polonisë, Szymon Hołownia, Spiropali u shpreh se, në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Polonisë, si një vend që përherë ka mbështetur proceset më të rëndësishme të Shqipërisë, transformimin e saj, demokratizimin dhe anëtarësimin në NATO dhe në BE.
“Konfirmuam që dialogu politik mbetet një shtyllë kryesore e marrëdhënieve dypalëshe. Shqipëria është e angazhuar të vazhdojë dialogun e hapur midis vendeve tona në të gjitha nivelet dhe ndan të njëjtin mendim se parlamentet luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e dialogut dy palësh”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit, inkurajoi shkëmbimet e mëtejshëm midis grupeve parlamentare, komisioneve, grupeve të miqësisë dhe deputetëve për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin si dhe shkëmbimin e përvojave në përgjithësi.
“Shqipëria ka përcaktuar anëtarësimin në BE deri në vitin 2030 dhe përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 si një objektiv kombëtar strategjik”, tha Spiropali.
Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht gjatë Presidencës polake të BE-së, si dhe shprehu besimin që kjo mbështetje do të vazhdojë deri sa Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së.
“Polonia është bërë shumë shpejt një shtyllë e fortë e BE-së dhe ne jemi mëse të lumtur të kemi një mik të tillë në tryezat vendimmarrëse të BE-së”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se, “Shqipëria mbetet e angazhuar fort ndaj integrimit në BE siç dhe pohohet në progres raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024”.
Spiropali vlerësoi veçanërisht rolin e Polonisë për të çuar përpara progresin e Shqipërisë me konferencat qeveritare gjatë presidencës polake.
“Gjatë vitit 2025 synojmë të hapim, shpresojmë, 23 kapituj të tjerë të negociatave, pjesë e grup-kapitujve 2, 3, 4,5 dhe të mbyllim kapitujt 1 dhe 2. Të mbajmë dy konferenca ndërqeveritare në mars dhe qershor, gjatë Presidencës polake. Ky është një plan ambicioz por totalisht i realizueshëm”, tha Spiropali.
Kryeparlamentarja nënvizoi se, “Shqipëria është vendi kandidat që ecën më me shpejtësi dhe vendosmëri drejt anëtarësimit në BE. Mbështetja popullore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE mbetet më e larta në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo përbën një frymëzim dhe detyrim gjithashtu që të përshpejtojmë agjendën tonë të reformave drejt familjes sonë të natyrshme të cilës i përkasim, për nga rrënjët tona, identiteti ynë, vlerat tona dhe perspektiva jonë”.
Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe angazhimin e Shqipërisë për avancimin e tyre në të gjitha nivelet dhe aspektet.
“Ndërveprimi intensiv mes Kuvendit dhe Parlamentit të Polonisë, midis grupeve parlamentare, komisioneve, grupeve të miqësisë dhe deputetëve, do të vijojë të shërbejë si një katalizator i nxitjes së bashkëpunimit dypalësh”, tha ajo.
Spiropali rikonfirmoi se mbështetja e palëkundur e Shqipërisë në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së Ukrainës është plotësisht në të njëjtën linjë me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të, dhe vlerësoi kontributin shumë të rëndësishëm të Polonisë në mbështetje të luftës mbrojtëse të Ukrainës.
Duke vlerësuar vendosjen e marrëdhënieve konsullore të Polonisë me Kosovën, Spiropali vuri në dukje se Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në rajon janë protagonistë të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Spiropali nënvizoi gjithashtu se Shqipëria po përgatitet dhe mirëpret bashkëpunimin me Poloninë edhe për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, në vitin 2027.
Gjatë takimit me Kryetaren e Senatit, Małgorzata Kidawa-Błońska, Spiropali vlerësoi mbështetjen e fuqishme të Polonisë për mbështetjen e integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, me të cilët Bashkimi Evropian ndan të njëjtat vlera. Ky proces duhet të jetë i mbështetur në meritën dhe arritjet e vendeve kandidate dhe të mos ndikohet nga problemet dypalëshe mes vendeve anëtare dhe kandidate.
U diskutua gjithashtu mbi aspekte konkrete të bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Senatit, ndërveprimin mes komisioneve parlamentare, shtimin e investimeve polake në Shqipëri, bashkëpunimin në fushën e turizmit, arsimit, kulturës dhe nxitjen e miqësisë mes dy popujve.
Spiropali dhe delegacioni i Kuvendit zhvilluan një takim edhe me Grupin e Miqësisë me Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ku u diskutua mbi rolin e grupeve të miqësisë në intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar e dypalësh, nxitjen e investimeve polake në Shqipëri si edhe inkurajimin e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal.