Projektligji i performancës energjetike në Kuvend, parashikohet rinovimi i rreth 8200 ndërtesave publike

nga D. V.

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare ku në rendin e ditës parashikohet diskutimi dhe votimi i projektligjit “Për performancën energjetike të ndërtesave”.

Projektligji i paraqitet seancës plenare pas miratimit në komisionet e përhershme të Kuvendit.

Nisma synon rritjen e eficiencës së energjisë në ndërtesa dhe reduktimin e emetimeve të gazeve serrë.

Projektligji është në përputhje me objektivat e Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën deri në vitin 2050.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj gjatë raportimeve në komisionet parlamentare ka vënë në dukje se ligji ka për qëllim përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave të reja dhe ekzistuese, si dhe transformimin e tyre në ndërtesa pa emetime.

Ajo nënvizoi se ligji do të zbatohet për të gjitha ndërtesat që nga faza e projektimit deri në lejen e shfrytëzimit, përfshirë ndërtesat që do t’i nënshtrohen rinovimeve të konsiderueshme.

Në fokus të zbatimit të projektligjit është edhe rinovimi i ndërtesave publike.

Sipas zv/ministres parashikohet deri në vitin 2050, rinovimi i rreth 8200 ndërtesave publike që përbëjnë një sipërfaqe prej 5.5 milionë metrash katrorë.

Në kuadër të këtij angazhimi, do të rinovohet çdo vit 3% e sipërfaqes totale të ndërtesave publike në pronësi të qeverisjes qendrore dhe 2% në nivel vendor.

Ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave klimatike dhe energjetike të vendit, konfirmon vullnetin e qeverisë për përafrim të mëtejshëm me direktivat e Bashkimit Europian në fushën e energjisë dhe mjedisit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More