Organizata Qëndresa Qytetare ka zhvilluar këtë të premte një protestë kundër plagjiaturës në dyert e Universitetit Nënë Tereza në Tiranë.
Aktivisti Migen Qiraxhi, deklaroi nga tubimi se protesta e Qëndresës Qytetare vjen pas publikimit të faktit skandaloz të plagjiaturës së doktoraturës së Rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, dhe Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha.
“Ky fakt publik në media dhe i denoncuar në organet kompetente do duhej të kishte tronditur Ministrinë e Arsimit, Parlamentin, Akademinë e Shkencave, grupet e interesi dhe shoqërinë, pasi po flasim për një institucion arsimor që prodhon elitat e këtij vendi, e kur rektori e pranon plagjiaturën sot, kush do t’u kërkojë llogari studentëve të tij për plagjiaturë nesër?”, thuhet në njoftimin e Qëndresës Qytetare.
-Qëndresa Qytetare i kërkon shqyrtimin me urgjencë Këshillit të Etikës të plagjiaturave të doktoraturës së Rektorit Artan Hoxha dhe Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë Dorina Hoxha.
– Qëndresa Qytetare i kërkon Minsitres së Arsimit Ogerta Manastirliu, të pezullojë Rektorin Hoxha dhe procesin zgjedhor deri në shqyrtimine plotë të denoncimit të plagjiaturës.
-Qëndresa Qytetare i kërkon Rektorit Artan Hoxha dorëheqje nga gara për Rektor të Universitetit të Tiranës dhe një ndjesë publike nga ndaj pedagogëve, studentëve dhe publikut.
-Qëndresa Qytetare i kërkon Komisionit Institucional Zgjedhor anulimin e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës dhe hapjen e garës me proces vlerësimi lirgjor të titujve akademik apo kontroll antiplagjiaturë për kandidatë në universitete.
-Kërkesa e fundit e Qëndresës Qytetare i drejtohet pedagogëve dhe arsimtarëve, ku u kërkojmë të distancohen nga vjedhja intelektuale dhe financiare e drejtuesve të Universitetit dhe të ngrenë zërin për çdo padrejtësi dhe abuzim.