Shkup, 29 shtator – Përdorimi i gjatë i smart phone-ve gjatë rutinës ditore po shkakton probleme të shumta si te fëmijët ashtu edhe të rriturit, thotë edhe psikologia Edlira Destani. Sipas saj, pasojat kryesore kanë të bëjnë me uljen e përqendrimit, keqmenaxhimin e stresit, kujtesën afatshkurtër, probleme me gjumin dhe pasoja të tjera shëndetësore.
“Ajo që është shumë e rëndësishme është fakti i socializimit që ne duhet të bëjmë si qenie humane, që në të vërtetë ka filluar që smart phone-t të na e tejkalojnë në një të dhënë tjetër, si një izolim social, në një ndryshim të komunikimit që gjithsesi po krijon ankth, po krijon herë pas here edhe depresion te dikush, por ajo që është më e rëndësishme është fakti që vet këta persona shohin që gjithnjë e më shumë ky izolim social ka ndryshuar mënyrën se si ata po e ndërtojnë komunikimin. Ky komunikim i dobët po sjell pasoja edhe në cilësinë e tyre të përditshmërisë.”, tha psikologia Edlira Destani.
Rekomandohet që të përdoret rregulli 20-20-20. Ky rregull nënkupton që të bëni një pushim çdo 20 minuta. Të shikoni për 20 sekonda diçka që është të paktën 20 metra larg. OBSh nuk e rekomandon fare qëndrimin para ekranit të pajisjeve teknologjike për fëmijët nën dy vjeç. Për fëmijët e moshës 3-4 vjeç, OBSh thotë se një orë në ditë është e mjaftueshme.