Shkup, 19 dhjetor – Nevoja për një qendër rinore funksionale në Komunën e Çairit nuk është luks, as ide e momentit, por një domosdoshmëri reale që buron nga mungesa e hapësirave të dedikuara për të rinjtë. Çairi është një nga komunat me popullsinë më të re, me energji, kreativitet dhe potencial të madh njerëzor, por paradoksalisht mbetet pa një vend të posaçëm ku ky potencial mund të zhvillohet, orientohet dhe shfrytëzohet në mënyrë konstruktive. Nga premtim fushate, Izet Mexhiti, kryetari aktual i Çairit ka thënë se ky projekt është në proces, shkruan Zhurnal.
Qendra rinore në proces të realizimit –
Për vite me radhë, të rinjtë janë lënë në mëshirë të rastësisë kafene, rrugë, hapësira të improvizuara apo thjesht izolim digjital. Mungesa e qendrave rinore nuk është vetëm problem infrastrukture, por problem social arsimor dhe afatgjatë zhvillimor. Kur të rinjtë nuk kanë hapësira për edukim joformal, kulturë, sport, inovacion apo debat publik, shoqëria humb mundësinë për të ndërtuar qytetarë aktivë, kritikë dhe të përgjegjshëm.
Në këtë kontekst, angazhimi i Komunës së Çairit për ndërtimin e Qendrës Rinore duhet parë si hap pozitiv, por edhe si test serioz i vullnetit politik. Reagimi i fundit i komunës, ku mohohet pezullimi i projektit dhe theksohet se ai ndodhet në fazë planifikimi dhe sigurimi fondesh, është i rëndësishëm për transparencë, por nuk mjafton për të shuar skepticizmin publik. Sepse për të rinjtë, premtimet e përsëritura pa rezultate konkrete janë bërë tashmë pjesë e përditshmërisë.
Fakti që projekti bazë është siguruar, se janë paraparë fonde në buxhetin e vitit 2026 dhe se ka aplikime pranë donatorëve potencialë, tregon se procesi ekziston në letër. Prandaj, duhet doemos që të punohet akoma që ky projekt nga letër të kaojë në vepër. Dhe, një gjë e tillë do të ndodhë vetëm nëse shihet ndërtimi i objektit në terren.
Qendra rinore nuk duhet parë thjesht si ndërtesë, por si investim strategjik në të ardhmen e komunës. Ajo duhet të jetë vend ku të rinjtë zhvillojnë aftësi, nisma qytetare, ide sipërmarrëse, ku marrin mbështetje psikologjike, edukative dhe kulturore. Një qendër e tillë ndihmon në parandalimin e devijimeve sociale, uljen e pasivitetit dhe rritjen e pjesëmarrjes rinore në jetën publike.
Prandaj, kërkesa e qytetarëve nuk është “kur do të fillojë procedura?”, por “kur do të shohim rezultate?”. Çairi ka nevojë për veprim konkret, afate të qarta dhe përfshirje reale të të rinjve në proces. Qendra rinore duhet të bëhet realitet jo nesër, por sa më shpejt, sepse çdo vit vonesë është një vit i humbur për brezat që po rriten pa mbështetje institucionale.
Kujtojmë që, nëse Komuna e Çairit dëshiron të dëshmojë se rinia është prioritet dhe jo vetëm slogan fushate, atëherë ky projekt duhet të kalojë nga faza e planifikimit në fazën e realizimit. Sepse të rinjtë nuk kanë nevojë për justifikime ata kanë nevojë për hapësirë, besim dhe mundësi reale. Dhe, këtë gjë ka potencial dhe mundësi ta bëjë kryetari i ri i Çairit, Izet Mexhiti. /Zhurnal.mk