Shkup, 6 qershor – Pas motit të lig që përfshiu sot territorin e shtetit, Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) aktivizoi menjëherë mekanizmat e saj për monitorim dhe koordinim. Drejtori i QMK-së, z. Muhamet Ali, gjatë gjithë ditës e ka ndjekur situatën dhe ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente, me qëllim reagim të shpejtë dhe efikas ndaj pasojave të motit të lig.
Sipas informacioneve të deritanishme, në disa lokacione janë evidentuar dëme materiale – rrugë të përmbytura, pemë të rrëzuara dhe pengesa në komunikacion. Fatmirësisht, nuk janë raportuar persona të lënduar.
Janë njoftuar edhe shërbimet kompetente të ujësjellës-kanalizimeve, shërbimi zjarrfikës dhe Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim(DMSH), të cilët janë në gatishmëri që të veprojnë sipas kompetencave të tyre.
QMK u bën apel të gjithë qytetarëve të jenë të kujdesshëm, të respektojnë rekomandimet e shërbimeve kompetente dhe të raportojnë në kohë situatat e rrezikshme ose që kërcënojnë jetën në numrin për raste emergjente 112.