QMK: Zjarri në rajonin e Vallandovës nuk është vendosur ende nën kontroll, po përhapet në dy krahë

nga D. V.

Shkup, 3 qershor – Zjarri që shpërtheu pasditen e djeshme në Gërçishtë të Vallandovës është riaktivizuar sërish në orët e mëngjesit të sotëm, i nxitur nga era e fuqishme dhe temperaturat e larta. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe dhe janë përhapur në dy drejtime kryesore — njëri drejt fshatrave Kazan Doll dhe Furka, dhe tjetri drejt Komunës së Bogdancit.

Në përpjekjet për shuarjen e zjarrit janë angazhuar mbi 50 persona nga terreni. Kryetari i Komunës së Vallandovës, Pero Kostadinov, ka kërkuar ndihmë ajrore për përballimin e situatës, mirëpo nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është informuar se për arsye teknike nuk është e mundur të sigurohet mbështetje me helikopter.

QMK gjithashtu ka paraqitur kërkesa për ndihmë edhe te Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), por deri në pasditen e sotme nuk ka pasur ndonjë përgjigje. Paralelisht, një kërkesë është dërguar edhe në Shtatmadhorinë e Armatës për mundësinë e përfshirjes së forcave ajrore dhe pritet përgjigje nga ana e tyre.

Në njoftimin e QMK-së theksohet se bëhet fjalë për një zjarr serioz që ka kapluar një zonë të gjerë me vendbanime të shpërndara, duke paraqitur rrezik të madh për jetën dhe shëndetin e banorëve, si dhe për objektet, pronën dhe infrastrukturën në zonën e prekur.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More