Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përshëndeti vendimin e Parlamentit Evropian pas miratimit të rezolutës mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 – 2024.
Në një postim në profilin e tij zyrtar në platformën X dhe në Facebook, Presidenti Begaj e vlerëson këtë rezolutë si mbështetje ndaj procesit të reformave që Shqipëria ka ndërmarrë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
“Konfirmimi dhe mbështetja e Parlamentit Evropian i jep Shqipërisë me rezolutën e fundit energji për procesin e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Mirënjohja duhet të shprehet me punë dhe bashkëpunim parlamentar në të gjitha drejtimet dhe për çdo aspekt të rezolutës”, shprehet Presidenti Begaj.
Pas një debati të zhvilluar një ditë më parë dhe pas miratimit më datë 4 qershor 2025 nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë (AFET), Parlamenti Evropian miratoi sot në seancë plenare në Strasburg me 502 vota nga 686 të pranishëm në sallë, raportin mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024, i hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder.