Këshilli i Ministrave miratoi një udhëzim të ri që rregullon regjistrimin e punimeve në fazën e karabinasë dhe krijon regjistrin e posaçëm të karabinasë, duke sjellë më shumë siguri juridike dhe lehtësi konkrete për qytetarët që blejnë pasuri të paluajtshme.
Udhëzimi, i miratuar në mbështetje të ligjit “Për kadastrën”, shton një kre të ri në aktin ekzistues për regjistrin e lejes së ndërtimit dhe përcakton procedura të detajuara për regjistrimin e përkohshëm të karabinasë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, pas konfirmimit të përfundimit të kësaj faze ndërtimore. Ky regjistrim do të administrohet në format digjital dhe do të shërbejë për efekt të kreditimit të zhvilluesve, si dhe për regjistrimin e kontratave të sipërmarrjes, porosisë dhe premtimshitjes.
Për qytetarët, ky akt sjell përfitime të drejtpërdrejta, pasi u jep mundësi blerësve të apartamenteve ose njësive të shërbimit që kontratat e lidhura në fazën e karabinasë të regjistrohen zyrtarisht në kadastër. Kjo rrit ndjeshëm sigurinë juridike, ul rrezikun e mashtrimeve dhe shmang rastet e shitjes së njëjtë të pasurisë tek më shumë se një person.
Regjistrimi i karabinasë krijon gjithashtu një gjurmë ligjore për njësitë ndërtimore që në këtë fazë, duke mbrojtur interesat e blerësve dhe duke reduktuar konfliktet pronësore. Lidhja e të dhënave të truallit, lejes së ndërtimit dhe kontratave noteriale në një regjistër të vetëm rrit transparencën dhe besueshmërinë e transaksioneve.
Një tjetër lehtësi për qytetarët dhe zhvilluesit lidhet me aksesin në kredi, pasi dokumentet e përkohshme të regjistruara në regjistrin e karabinasë mund të përdoren nga bankat për financim, pa pritur përfundimin total të ndërtimit. Procedurat parashikohen të jenë të koordinuara dhe të digjitalizuara, duke ulur burokracinë, kohën dhe kostot për subjektet e interesuara.
Udhëzimi parashikon gjithashtu mbrojtje për qytetarët edhe në rastet kur zhvilluesi nuk shlyen detyrimet financiare, pasi kontratat e regjistruara në regjistrin e karabinasë mbeten të vlefshme dhe bankat mund të disponojnë vetëm njësitë e lira.
Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe autoritetet përgjegjëse për zhvillimin e territorit, ndërsa akti hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.