Shkup, 30 gusht – Në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Koneski” – Shkup në drejtimin për albanologji, interesimi i brucoshëve për të ndjekur studimet në këtë drejtim duket të jetë i ulët, së paku sipas informacioneve të afatit të parë për regjistrim.
Përgjegjësi i katedrës së albanologjisë, Ismet Osmani, nëpërmjet televizionit tonë u bën thirrje maturantëve, që të ndjekin studimet gjuhësore amë, për shkak se është drejtim që u sjell perspektivë dhe punësime.
“Interesimi, të them nuk është sikur në vitet e kaluara, por megjithatë ne presim që brenda ditës të ketë të interesuar për t’u regjistruar në dy programe studimore, në programin për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe programin studimor të përkthimit. Ftoj studentët, sidomos maturantët, që të vijnë dhe të regjistrohen në grupin për përkthim, por edhe në Gjuhë dhe Letërsi, sepse mundësitë janë të mëdha. Mund të punësohen në institucionet e ndryshme të vendit.”, – deklaroi përgjegjësi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, Ismet Osmani.
Viteve të fundit sa shkon e bie numri i studentëve që duan të studiojnë gjuhën shqipe. Shefi i katedrës, Osmani, numëroi arsyet e rënies së numrit të studentëve në këtë fakultet.
“Një pjesë e madhe e studentëve shkojnë nëpër fakulteteve të tjera, sidomos në teknikë, në informatikë, në ekonomi, në fakultetin ekonomik dhe kuptohet edhe numri i madh i universiteteve, qoftë private, por edhe shtetërore; rënia e numrit të atyre që e kryen shkollimin e mesëm, numri i atyre që shkojnë jashtë shtetit dhe këto janë faktorët që ndoshta kanë ndikuar në uljen e numrit të studentëve.”, – theksoi përgjegjësi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, Ismet Osmani.
Pasqyra më e qartë e studentëve që do të studiojnë në degën e Albanologjisë në Shkup në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi”, mbetet të shihet në shtator kur edhe do të organizohet regjistrimi i studentëve për afatin e dytë dhe të tretë. Studentët kishin zgjedhur që të aplikojnë në mënyrë elektronike.