Rikonstruktohet qendra shëndetësore Bubullimë, Koçiu: Përfitojnë 5900 banorë, investime edhe në 100 qendra të tjera

nga D V

Rreth 5900 banorë të Bubullimës në Lushnjë do të kenë së shpejti një qendër shëndetësore të rikonstruktuar dhe me aparatura të reja mjekësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar edhe nga kryetarja e bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, inspektuan sot punimet për rikonstruksionin e kësaj qendre shëndetësore.

Koçiu theksoi se kjo godinë shëndetësore do të pajiset me aparatura të reja mjekësore për ta shndërruar në një qendër model, që t’i shërbejë gjithë komunitetit të zonës.

Sipas saj, edhe procesi i decentralizimit ka në fokus ofrimin e shërbimeve për qytetarët duke sjellë në vëmendje marrëveshjen e nënshkruar pak ditë më parë me katër kryetarët e bashkive për pilotimin e orientimit të shërbimeve në shëndetësi, arsim dhe bujqësi.

Ministrja Koçiu tha se, “marrëveshja e nënshkruar ka si qëllim që “komunitetet të mund të marrin më shumë shërbime sipas nevojave dhe bashkitë të jenë në gjendje t’i ofrojnë shërbimet drejtpërdrejtë tek ata që kanë më shumë nevojë dhe të kenë akoma më shumë zë vetë bashkitë në ofrimin e shërbimeve, në rastin konkret, shëndetësore”.

Në bashkëbisedim me stafin e Qendrës Shëndetësore Bubullimë, Koçiu tha se prioritet është ofrimi i shërbimeve edhe në banesë për ata të pamundur që nuk mund të vijnë fizikisht pranë qendrës shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se në kuadër të Programit Kombëtar të rehabilitimit të qendrave shëndetësore “340 qendra shëndetësore janë rikonstruktuar deri më tani me infrastrukturë moderne dhe 60 po përfundojnë. Ndërkohë që do të nisin edhe 100 qendra të tjera me projektbuxhetin e vitit 2025-2026 duke përmbyllur kështu gjithë ciklin e qendrave shëndetësore apo të kujdesit shëndetësor primar në shërbim të qytetarëve pranë vendbanimit”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More