Pas vendimeve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ka nisur sot procesi i rinumërimit të 2323 kutive të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, përfshirë edhe 85 kutitë e votimit nga jashtë vendit.
Në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” në Tiranë, ka nisur procesi i rinumërimit për Gramshin dhe Peqinin, ku sipas medieve që prej mëngjesit janë hapur 94 kuti, ndërsa do të krahasohen fletët e votimit që janë në kuti me materialet zgjedhore.
Do jetë KAS që do të vendosë në fund, nëse gjetjet e procesit të verifikimit do përbëjnë prova të mjaftueshme për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e qarkut të Elbasanit, ku PD pësoi humbje duke marrë vetëm 4 mandate dhe 10 shkuan për PS.
Pasi të përfundojë verifikimi për 94 kutitë e Gramshit dhe Peqinit, do nisë rinumërimi i të gjitha votave të subjekteve politike dhe të kandidatëve në qarkun e Tiranës (1.282 kuti), më pas për Fierin (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora). Në Durrës, KAS-i vendosi që të rinumërojë kutitë e KZAZ-ve 21 dhe 22 të kërkuara nga PD, dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati demokrat Aulon Kalaja.
Procesi realizohet nga 24 tavolina numërimi, ku janë ngritur 24 grupe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore (48 numërues + 15 zëvendësues). KQZ ka deklaruar se nuk do të kërkojë buxhet shtesë, pasi kostoja prej 21 milionë lekësh të rinj që parashikohet do të mbulohet nga kursimet e 11 majit.