Shkup, 13 qershor – Inflacioni po troket sërish në derë, duhen gjithnjë e më shumë para për mbijetesë. Raporti më i ri i Entit Shtetëror për Statistika tregon se në nivel mujor inflacioni është rritur për 0.9%. Se çmimet nëpër markete nuk ndalojnë së surprizuari qytetarët, dëshmojnë edhe informacionet e Raportit që thonë se harxhimet për ushqim janë rritur për gati 4%. Krahasuar me majin e vitit 2023, çmimi bukës dhe drithërave janë rritur për 4.5%, për 2% prodhimet e mishit, për 4% vezët, qumështi dhe djathi. Kurse çmimet e pemëve po thyejnë rekorde ku brenda një viti janë rritur për 22%. Shoqëria në Maqedoninë e Veriut është e ndarë në dy shtresa, shumë të varfër që janë edhe numri më i madh i qytetarëve dhe në shumë të pasur që janë numër i vogël i qytetarëve, klasa e mesme vështirë të gjendet në këtë mesë e në këtë shoqëri, shkruan Zhurnal.
Rritja e çmimeve të shumta për produkte bazike rrit inflacionin –
Raporti më i ri i Entit Shtetëror për Statistika tregon se në nivel mujor inflacioni është rritur për 0.9%. Se çmimet nëpër markete nuk ndalojnë së surprizuari qytetarët, dëshmojnë edhe informacionet e Raportit që thonë se harxhimet për ushqim janë rritur për gati 4%.
Krahasuar me majin e vitit 2023, çmimi bukës dhe drithërave janë rritur për 4.5%, për 2% prodhimet e mishit, për 4% vezët, qumështi dhe djathi. Kurse çmimet e pemëve po thyejnë rekorde ku brenda një viti janë rritur për 22%.
Të dhënat e raportit të Entit për Statistika thonë se transporti është rritur për 10%, harxhimet për rekreim dhe kulturë mbi 5%, kurse shërbimet hotelerike për 8.5%. Banka Popullore tashmë njoftoi se turbulencat me inflacionin pritet të stabilizohen deri në fund të vitit.
Kompetentët vlerësojnë se në periudhën e ardhshme çmimet do të jenë stabile, por paralamërojnë se edhe më tej ekzistojnë rreziqe për inflacionin për shkak të zhvillimeve globale. Të dhënat për lëvizjen e inflacionit vijnë në kohën kur një familje katëranëtarëshe, me dy paga minimale, nuk mund të mbulojë nevojat themelore gjatë një muaji.
Sipas llogarive të Lidhjes së Sindikatave, një familjeje katëranëtarëshe I duhen mbi 1.000 euro për ta kaluar muajin. Rreth 22.000 denarë nga kjo shumë shkojnë për ushqim dhe pije.
Me rritjen e inflacionit pritet të rritet numri i qytetarëve të varfër-
Në njoftimin e Entit Shtetëror për Statistikë në RMV thuhet kostoja e jetesës krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar deri në mars të këtij viti është rritur me 4 për qind. Një shifër e lartë që vetëm sa shkon e rritet edhe më shumë, dhe bashkë me rritjen e inflacionit rritet edhe numri i qytetarëve të varfër.
Kostoja e jetesës po rritet me shpejtësi të madhe saqë qytetarët edhe po zihen në befasi. Jemi dëshmitarë se çmimet e shumë produkteve ushqimore janë rritur jashtëzakonisht shumë, edhe përkundër faktit që kishte disa masa për ngrirje të çmimeve, sërish gjendja e çmimeve mbetet shqetësim kryesor i qytetarëve. Si gjithmonë, më të prekurit do të jenë ata që deri tani kanë jetuar me të ardhura të ulëta, ose fare pa të ardhura që kanë qenë nën mëshirën e humanizmit.
Tashmë po bëhen llogaritë se për çfarë kemi para dhe për çfarë nuk kemi dhe po bëhen kompromise për cilësinë e ushqimit dhe strehimit. Pritet që një pjesë e qytetarëve të cilët në të kaluarën ishin në rrezik të varfërisë të bien nën pragun dhe po pritet të rritet numri i të varfërve. Fatkeqësisht, qytetarët që ende jetojnë nën atë vijë do të gjenden në një situatë edhe më të pafavorshme, pa kushte minimale për një jetë me dinjitet.
Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta.
Situatë jo e lehtë për tu përballuar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pasi rritja e çmimeve u bë traditë e zakonshme madje edhe javore që çdo javë pothuajse kishte ndryshim çmimesh, nuk dihej se cilat masa dhe çfarë ndikimi kishin ato masa antikrizë të marra nga Qeveria, sepse në praktikë secili qytetarë është në krizë të thellë. Shpenzimet mujore me të hyrat janë në një diskrepancë shumë të madhe me çka qytetarët edhe po dëshpërohen dhe shpresë po kërkojnë jashtë vendit.
Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme. Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm. /Zhurnal.mk