Kumanovë, 21 gusht – Sikurse në tërë rajonin dhe në vendin tonë, edhe në Kumanovë po regjistrohet rritje e të prekurve nga Virusi “Covid-19”. Edhe përkundër këtij fakti autoritetet qetësojnë duke theksuar se gjendja nuk është aq shqetësuese, edhe pse gjatë dy javëve të fundit janë evidentuar 8 raste me koronavirus.
Të punësuarit në QSHP Kumanovë njoftojnë se fatmirësisht të sëmurit janë me pasqyrë të lehtë klinike, por megjithatë laboratori në Kumanovë është pajisur me numër të mjaftueshëm të testeve konform varianteve të reja të “Covid-19”.
“Bëhet fjalë për një numër të prekurish që nuk paraqet epidemi. Kryesisht janë pacientë të ambulantës të përcjellur nga mjekët amë, kurse disa të tjerë edhe nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës. Gjithashtu u apelojmë qytetarëve si masë preventive që gjatë vizitave të të sëmurëve në entet shëndetësore të mbajnë maska mbrojtëse” – tha Dr.Vesna Stefanovska, mikrobiloge në QSHP Kumanovë.
Edhe Komisioni për sëmundje ngjitëse vërtetoi se në vendin tonë është regjistruar rritje e numrit të tê prekurve nga “Covid-19”, njëkohësisht u apelojnë qytetarëve që ti respektojnë masat preventive.
Ndër rekomandimet është edhe evitimi i qëndrimit nëpër grupe në ambiente të mbyllura dhe kontakteve me të sëmurët. Por nga ky komision thonë se mënyra më efikase për mbrojtje nga “Covid-19”, është vaksinimi.