Shqipëria është në bisedime me Pentagonin që të përfitojë nga kreditë e buta që jepen nga SHBA për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu gjatë një interviste në Scan TV, ndërsa foli për projektbuxhetin 2025 për mbrojtjen.
Vengu u shpreh se mbrojtja kundërajrore është një hap domethënëses që duhet ndërmarrë, por është e kushtueshme.
“Ndaj edhe risia e buxhetit parashikon mundësinë që ne të marrim edhe financime të huaja. Ka disa instrumente tepër interesante kryesisht nga partnerët tanë, si SHBA. Jemi në bisedime me Pentagonin që të përfitojmë edhe ne nga mundësitë e kredive të buta që jepen nga SHBA për rritjen e kapaciteteve tona për fuqi zjarri dhe sisteme mbrojtje, pra dhe investime të mirëfillta”, tha Vengu.
Duke u ndalur te buxheti 2025, Ministri solli në vëmendje rritjen e konsiderueshme të pagave për ushtarakët.
“Me rritjen e fundit që hyn në fuqi në janar 2025 ne jemi në krye të tabelës së pagave në rajon dhe lëmë pas shumicën e vendeve të rajonit. Ne nuk do të mjaftohemi këtu, pasi përmes investimeve në industrinë ushtarake ne duam të kemi kapacitete t’i rrisim edhe më tej”, tha Vengu.
Po ashtu, ai theksoi se synohet ndërtimi i kapaciteteve në mbrojtje kibernetike me paga të barazvlefshme me sektorin privat.
Ministri theksoi se synohet që falë ligjit të ri për industrinë ushtarake, jo vetëm të ngremë industrinë detare, por edhe të ndërtojmë për eksport.