Shkup, 1 nëntor – Të rinjtë po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në rrjetet sociale dhe në internet në përgjithësi. Nga këndvështrimi i prindërve, kjo kohë shpesh shihet si e humbur, sepse mund të shfrytëzohet për mësime apo aktivitete më të dobishme.
Por për vetë të rinjtë, rrjetet sociale janë shumë më tepër se kaq, ato janë hapësira ku gjejnë veten, ndërveprojnë me bashkëmoshatarët dhe krijojnë hapësirën e tyre shoqërore.
Psikologia klinike Edlira Destani thekson se lidhja midis përdorimit të rrjeteve sociale dhe përqendrimit në mësime është një çështje shqetësuese.
Disa të rinj dinë ta përdorin internetin në mënyrë të kontrolluar dhe të dobishme, ndërsa të tjerë kalojnë shumë orë aty, gjë që ndikon në aftësinë e tyre për të mësuar dhe për t’u përqendruar.
“Përsa i përket përdorimit të rrjeteve sociale gjithmonë të rinjtë, nxënësit e shkollave duhet të kenë parasysh që niveli i stresit, në mënyrën se si bashkëpunojnë me njëri-tjetrin rritet gjatë kohës së përdorimit të rrjeteve sociale. Kjo do të bëhet që pjesa tjetër e kohës që ata edhe po të duan të ia kushtojnë leximit do të jetë një kohë shumë më delikate dhe më pak e përqendruar në ato nivele akademike që ata duhet të mësojnë. Pra një ulje e përqendrimit në kohën kur ne vërtetë duhet të mësojmë, një nivel stresi i caktuar apo edhe fakte të tjera që çdo gjë që do të marrim nga leximi do të jetë shumë sipërfaqësore, gjatë gjithë kohës këto janë problematikat më të mëdha”, u shpreh Edlira Destani, psikologe klinike.
Destani thekson rëndësinë e edukimit të të rinjve në këtë drejtim.
“Do të duhet patjetër që ti edukojmë, nxënësit tanë, që mënyra apo forma në të cilën do të duhet të mësojmë do të jetë e alternuar, pavarsisht një shekulli shumë transformues në mënyrën se si marrim të dhënat dhe jo në mënyrën abusive saqë ndonjëherë themi se çdo gjë në rrjetet sociale është ndërprerje, vërtet tek pjesa e të mësuarit, pavarsisht studimeve të caktuara, nuk gjendet në një lidhje shumë themelore që përdorimi i rrjeteve sociale do të ndikojë në mënyrën e të mësuarit, ka kohë për të gjitha, por gjithsesi përdorimi i rrjeteve sociale gjithmonë mendohet se do të jetë në një mënyrë shumë më të alternuar, shumë herë më të pakët se sa ajo që duhet të kalojmë në mësime”, theksoi Destani.
Në fund, psikologia nënvizon se balanca midis teknologjisë dhe studimit është çelësi i suksesit për brezin e ri, në një kohë kur informacioni është i kudondodhur, por vlera e dijes së vërtetë vjen nga përqendrimi dhe përkushtimi.