Sa është e gatshme kjo përbërje qeveritare të realizojë ndryshimet kushtetuese?

nga I.A

Shkup, 6 nëntor – Debati për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes pas deklaratave të fundit të Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Gjatë prezantimit të pakos së raporteve të progresit mbi kandidatët për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kos përsëriti me ton të qartë se vendi duhet të zbatojë ndryshimet kushtetuese në përputhje me përfundimet e Këshillit të vitit 2022 në të kundërt, procesi i integrimit mbetet i bllokuar, shkruan Zhurnal.

Kjo qeveri doemos duhet të realizojë ndryshimet kushtetuese – 

Sado e vështirë dhe e pamundur të duket është e patjetërsueshme për vendin të realizojë ndryshimet kushtetuese nëse synon të vazhdojë rrugëtimin drejt BE-së. Në të kundërtën pa zgjidhur këtë bllokadë në ndërkohë mund të lindin edhe bllokada të reja. 

“Maqedonia është plotësisht në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe vazhdon të punojë në pjesët që lidhen me Klasterin 1, por duhet të zbatojë ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Kos.

Ajo shtoi se “vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të përparuar në procesin e negociatave të pranimit gjatë vitit të kaluar” dhe theksoi se “ndryshimet kushtetuese janë kushti i domosdoshëm për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian”.

Kjo deklaratë në fakt riaktivizon pyetjen më të madhe politike të momentit a është e gatshme kjo përbërje qeveritare të realizojë ndryshimet kushtetuese, në një klimë politike ende të polarizuar dhe me mungesë të harmonizimit të qëndrimeve për këtë pikë nga tre partnerët përbërës të kësaj qeverie, VMRO-VLEN-ZNAM?

Qeveria aktuale, që përbëhet nga një koalicion i gjerë me natyrë politike, e ka në programin e saj detyrimin për të shtyrë përpara procesin e ndryshimeve kushtetuese. Por sfida kryesore mbetet sigurimi i shumicës së cilësuar prej dy të tretave në Kuvend një objektiv që deri tani ka rezultuar i paarritshëm për asnjë qeveri. Derisa diskutohet për shumicën në Kuvend VMRO-DPMNE, vazhdon të qëndrojë kategorikisht kundër përfshirjes së bullgarëve në preambulë, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, përbërja aktuale qeveritare gjendet përballë një prove serioze politike. Ajo duhet të dëshmojë se ka jo vetëm vullnet deklarativ, por edhe kapacitet real për dialog politik, përtej interesave partiake. Ndryshimet kushtetuese nuk janë thjesht kërkesë e Brukselit ato janë “bllokada e fundit” që ndan vendin nga fillimi i vërtetë i negociatave me BE-në, pra nga faza e përmbajtjes dhe jo më e formës.

Nëse ky proces dështon, pasojat do të jenë të shumëfishta jo vetëm do të vonohet integrimi evropian, por edhe do të minohet kredibiliteti ndërkombëtar i vendit, duke dërguar sinjal se Shkupi nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet që ka marrë vetë. 

Përkundrazi, nëse arrihet kompromisi Maqedonia e Veriut do të mund të kapë një moment historik të rëndësishëm duke rikthyer optimizmin për qytetarët që prej kohësh e ndjejnë procesin e integrimit si të stërzgjatur e pa rezultat.

Prandaj, pyetja thelbësore nuk është më nëse duhet bërë ndryshimi, por nëse elita politike aktuale ka pjekurinë dhe guximin ta bëjë atë. Çdo vonesë e mëtejshme e bën më të vështirë ringjalljen e konsensusit pro-evropian në shoqëri. Kujtojmë që, reforma kushtetuese nuk është vetëm test për këtë qeveri është test për gjithë sistemin politik të Maqedonisë së Veriut, për aftësinë e tij për të zgjedhur të ardhmen mbi kalkulimet afatshkurtra. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More