Samiti i në Shkup – Çfarë janë benefitet e vërteta përveç thashethemeve të politikanëve!

nga Redaksia

Shkup, 1 korrik – Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut sot u mbajt një takim me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të dedikuar Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian prej 6 miliardë eurosh për këtë rajon, shkruan “Zhurnal.mk”.

Nga Plani i Rritjes, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës – kanë marrë fondet e para të parafinancimit.

Për herë të parë ky samit ishte i fokusuar në zbatimin e Planit të Rritjes, ku 75 për qind e reformave të dakorduara – të përbashkëta për të gjitha vendet e rajonit – janë ose të zbatuara plotësisht ose janë në proces, ndërsa 25 për qind ende mbeten për t’u realizuar. Mjetet financiare që janë vënë në dispozicion për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë të qasshme deri në fund të vitit 2027 dhe, nëse nuk shfrytëzohen, do të kthehen në buxhetin e BE-së.

Në Deklaratën e Përbashkët të këtij Samiti theksohet se ka përparimin drejt SEPA-s (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), një sistem që lehtëson kryerjen e pagesave brenda hapësirës evropiane.

Gjithashtu janë krijuar 11 pika kufitare prioritare me kalime të gjelbra, që synojnë të lehtësojnë lëvizjen e mallrave. Përveç kësaj, sistemi satelitor i BE-së, Galileo, do të përdoret për të gjurmuar kamionët në kohë reale, duke mundësuar kuptimin më të mirë të vonesave dhe dinamikës së qarkullimit.

Shtet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja punojnë së bashku për të identifikuar zinxhirët evropianë të furnizimit, në të cilët kompanitë mund të integrohen. Për shembull, në sektorin farmaceutik, kompnaitë e Ballkanit do të përshtaten me standardet e BE-së, në mënyrë që bizneset e këtushme të trajtohen njësoj si ato të vendeve anëtare.

Projektet që financohen nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor do të mbështesin ndërtimin e rrugëve, linjave hekurudhore, si dhe parqeve me erë dhe diell në të gjithë rajonin.

Komisioni Evropian ka propozuar një paketë investimi prej 87.7 milionë eurosh, që pritet të mobilizojë gjithsej 487.3 milionë euro për projekte të energjisë së pastër në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi. Fondi parashikon ndërtimin e linjave të transmisionit dhe nënstacioneve në Shqipëri dhe Mal të Zi, rehabilitimin e hidrocentraleve në Shqipëri dhe Serbi, si dhe integrimin e ngrohjes solare në sistemin e ngrohjes qendrore në Novi Sad, Serbi.

Në Samit është diskutuar edhe për roaming-un për telefoninë mobile, ku nëse të gjitha vendet punojnë me përkushtim në zbatimin e reformave dhe ndryshimet në legjislacion, roaming-u pa pagesë për vendet e Ballkanit Perëndimor mund të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Gjithashtu, Komisioni ka ofruar ndihmë në lehtësimin e zhvillimit të ekosistemit turistik të Ballkanit Perëndimor duke integruar palët e interesuara rajonale të turizmit në organet dhe mekanizmat e BE-së. Kjo do të mbështeste më tej tranzicionin drejt një industrie turistike më të gjelbër, më digjitale dhe më elastike, dhe do të ndihmonte në rritjen e aftësive, në përputhje me politikën e BE-së.

Komisionit ka ofruar mbështetje në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, e cila synon të rrisë sigurinë e konsumatorit dhe të rrisë ndërgjegjësimin për të drejtat e konsumatorit në të gjithë rajonin duke forcuar kapacitetin zbatues të autoriteteve vendase.

Duke pasur parasysh përparësinë për t’u integruar gradualisht në Tregun e Përbashkët të BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor mirëpresin lançimin e tre iniciativave të reja të paraqitura nga Komisioni. Iniciativa e Autostradës së Tregut të Përbashkët bashkon një numër aspektesh – aleanca strategjike, konvergjencë rregullatore dhe forcim të rrjeteve midis Ballkanit dhe Bashkimit Evropian – në një kornizë të vetme sipas Shtyllës 1 të Planit të Rritjes dhe do t’u japë një shtysë të re përpjekjeve në secilën prej këtyre fushave.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, ndërsa Plani i Rritjes synon të përshpejtojë reformat dhe t’i përgatisë ato për anëtarësim.

Marrëveshjet e tilla kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, ndaj edhe duhet të ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave.

Plani, i miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së në maj të vitit 2024 dhe i aprovuar përfundimisht në tetor të po atij viti, kap vlerën prej gjashtë miliardë eurosh. Ai përfshin investime dhe reforma për vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027.

Një pjesë e këtyre fondeve do të jepet si grante dhe pjesa tjetër në formën e kredive me kushte të favorshme.

Në rrafshin politik u bë e qartë se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor, shkruan “Zhurnal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More