Sfidat e Tik-tokut, nxënësit: Të përhapura edhe tek ne

nga Xh M

Shkup, 16 shkurt – Sfidat e Tik-tokut, janë bërë shqetësuese për shumë të rinj të botës, ndërsa nuk janë imun as të rinjtë në vend. Së fundmi aktuale është e ashtuquajtura sfida “Paracetamol”, ku femijët sfidojnë veten me gëlltitjen e sa më shumë paracetamolave.

Sociologët thonë se duhet patjetër të ndërmerret diçka nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së saj edhe tek ne. Ndërsa psikologët thonë se prinderit dhe mesimdhënesit kanë rol kryesor në parandalimin e dukurive negative te femijët.

Fëmijët e anketuar nga TVM2 pohojnë se rrijnë me orë të tëra në telefon, duke shfrytëzuar platformat, duke përfshirë edhe Tik-tokun.

-Sa gjatë rrini në telefon në rrjetet sociale?

“Unë rri tre ose dy orë, në Viber edhe Tik tok”, u shpreh fëmija.

– Cilat janë sfidat e Tik tokut?

“Sfida aktuale është sfida me video hapa paracetamol”, theksoi fëmija.

“Nuk rri edhe shumë, p.sh. tre orë në ditë”, u shpreh fëmija.

Në cilat rrjete sociale rrini më shumë?

“Në Tik-tok”, theksoi fëmija.

A keni dëgjuar për sfidat e fundit?

Po, “Spajdermeni” dhe shpresoj që shkolla jonë më mos ta bëjë”, u shpreh fëmija.

– Cilat sfida po qarkullojnë tani në tiktok?

“Po, Supermen trend”, theksoi fëmija.

“Me thënë të drejtën, unë tre orë e gjysmë rrij në telefon mendoj. Në Youtube rri”, u shpreh fëmija.

– Për sfidat e tiktokut keni dëgjuar?

“Po për “Spajdermenin” edhe për “Supermenin””, theksoi fëmija.

Kanë ndodhur në shkollën tuaj këto sfida?

“Po. Janë shumë të rrezikshme, të lëndojnë shumë”, u shpreh fëmija.

“Po, kam lexuar, e cila është “Spajdermeni” dhe një lojë me prerëse, në dorë i vizatojnë. Një ditë më ndodhi e theva krahun dhe shkova në klinikë, atje ishin 7 apo 8 persona me krah të thyer, me këmbë të thyer nga hedhja lartë”, theksoi fëmija.

Psikologët dhe sociologët: Prindërit dhe arsimtarët të jenë më të kujdesshëm

Psikologia, Edlira Destani, thotë se shoqëria jonë është bërë aq dinamike, saqë nuk po arrin shkaktarët e pasojave për shëndetin e fëmijëve, jo vetëm fizik, por edhe emocional dhe psikik. Ajo tërheq vërejtjen që prindërit të gjejnë më shumë kohë për fëmijët e tyre, sepse kur krijohen zbrazëtira, ekziston rreziku që ato të zëvendësohen me sfida të rrezikshme nga rrjetet sociale.

“Normalisht që sa herë prindërit të jenë larg fëmijës nga ana emocionale, më shumë ka boshllëk te fëmijët. Boshllëqet te fëmijët mund të vazhdojnë të zëvendësohen me sfida me të cilat ata duan që të bien në sy, duan që të bindin veten që ata munden. Sfidat janë vërtetë të rrezikshme, por sipas adoleshentëve, sa më të rrezikshme të jenë, aq më shumë ata ndihen vërtetë pjesë e shoqërisë, apo pjesë esenciale e asaj që duan të duken, duan të bien në sy, duan të vlerësohen nga shoqëria”, u shpreh psikologja Edlira Destani.

Sociologu, Denis Raufi, thotë se për të parandalur përhapjen e dukurive negative në rrjetet sociale, duhet të bllokohen përmbajtjet që promovojnë dhunën. Sipas tij, fëmijët influencohen edhe nga personalitete publike të cilat në rrjetet sociale publikojnë përmbajtje destruktive.

“Ekzistojnë disa rrethana shoqërore. E para ka të bëjë me aspektin kulturor, tjetra ka të bëjë me mjedisin dhe një që është edhe më e rëndësishme në ditët e sotme është çështja ekonomike. Meqenëse rrjetet sociale të ofrojnë një mundësi që të mund t’i përmbushësh të gjitha këto dhe meqenëse fëmijët ndjehen shpeshherë të influencuar ose të ndikuar nga shumë personalitete të cilat dalin nëpër rrjetet sociale, por që japin përmbajtje destruktive dhe ata i parapëlqejnë, sepse rrjetet sociale të mundësojnë që shumë njerëz të pasurohen në këtë formë”, theksoi solciologu Denis Raufi.

Parandalimi është në duar të prindërve dhe arsimtarëve, thonë psikologët dhe sociologët, sipas të cilëve, ata duhet të jenë në kontakt të vazhdueshëm dhe mësimdhënësi duhet ta njoftojë prindin nëse vëren ndryshime të caktuara me mënyrën se si po sillet një nxënës në klasë apo në shkollë, ndërsa prindi duhet të vërejë ndryshimin e fëmijës qoftë në orarin e gjumit, mënyrën e të ushqyerit apo kohën që kalon në internet.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More