SHBA tjetër “goditje” Kosovës, DASH: Përpjekje, por jo mjaftueshëm kundër trafikimit

nga L. M

Janë bërë përpjekje kundër trafikimit, por jo mjaftueshëm sipas Departamentit Amerikan të Shtetit për ta lëvizur nga kjo kategori. Niveli 2 përfshin shtetet ku qeveritë bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar trafikimin e njerëzve, por ende nuk arrijnë të përmbushin plotësisht standardet minimale ndërkombëtare.

Raporti i DASH thekson se në Kosovë, ndjekja penale dhe mbështetja për viktimat janë rritur, por dënimet mbeten të lehta. Nga ana tjetër fëmijët e shfrytëzuar për lypje shpesh nuk njihen si viktima të trafikimit.

“Qeveria nuk ka pasur kapacitet për të ofruar ndihmë afatgjate dhe ka ndarë më pak fonde për fushatat e ndërgjegjësimit”, thekson raporti.

Në të njëjtën kategori renditen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut. Raporti tregon se trafikimi i prek të gjitha komunitetet në Kosovë.

Për periudhën e ardhshme, apeli për Prishtinën zyrtare është të forcojë dukshëm përpjekjet kundër trafikimit. Mes rekomandimeve kryesore përmenden hetimi dhe ndjekja penale e trafikantëve dhe dhënia e dënimeve të rënda.

Raporti sugjeron, gjithashtu, trajnime të avancuara për gjyqtarët, prokurorët dhe policinë për identifikimin e trafikimit dhe qasjen e përshtatshme te viktimat, si dhe shtim të kapaciteteve e financimit për qendrat sociale dhe strehat e organizatave joqeveritare.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More