Shkup, 4 qershor – Investimet në shkencë përcaktojnë qartë vizionin e lidershipit të një shteti, nëse planifikojnë zhvillim afatgjatë e konzistentë investimet nuk mungojnë në këtë drejtim. Po që ndodhi e kundërta, aty vetëm zhvillim nuk mund të ketë. Regres, nënshtrim, borxhe pa masë. “Shkenca është motori i zhvillimit të një shteti,” deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke njoftuar se buxheti për veprimtarinë shkencore në vitin 2025 është pothuajse dyfishuar në krahasim me vitin paraprak. Në letër, ky është një lajm i mirë, mbetet të shihet nëse edhe në praktikë do të rezultojë e njëjta, shkruan Zhurnal.
Rritja e investimeve në shkencë hap i duhur –
Rritja nga 5.5 milionë euro në rreth 11 milionë euro për kërkimin shkencor është një hap përpara, por nuk e ndryshon dot trajektoren nëse nuk shoqërohet me reforma reale, mbështetje institucionale dhe një kuptim të thellë për atë që shkenca përfaqëson në një shoqëri moderne.
“Fondi total për shkencën është rritur, mendoj, nga rreth 5.5 milionë euro në vitin 2024, në 670–680 milionë denarë në vitin 2025. Sigurisht, kjo nuk është e mjaftueshme. Si një njeri që vjen nga shkenca, nga Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’, e di që duhet edhe më shumë por mendoj se është më mirë sesa që ishte në të kaluarën”, ka thënë kryeministri, Hrisitjan Mickoski.
Kjo deklaratë është e duhur dhe e mirëpritur. Por ajo që i duhet sistemit nuk është një gjest simbolik por një kthesë rrënjësore. E sotmja kërkon më shumë sesa fonde të shtuara kërkon një strategji të qartë kombëtare për shkencën, që do ta kthejë dijen në themel të zhvillimit, e jo në një dekor politik për statistika.
Për vite me radhë, investimi në dijen vendase është trajtuar si zë anësor në buxhetin e shtetit. Ndërkohë, universitetet degradojnë në mungesë të fondeve, laboratorët vjetërohen, dhe qendrat kërkimore tërhiqen në mbijetesë simbolike. Rrjedhimisht, truri i këtij vendi po largohet me shpejtësi, sepse kushdo që përpiqet të ndërtojë karrierë shkencore këtu, përballet me mure të padukshme mungesë fondesh, burokraci, pasiguri dhe shpërfillje totale institucionale.
Nuk mund të flasim për një shtet modern, kur shkencëtarët e tij nuk kanë ku të publikojnë, nuk kanë si të eksperimentojnë, dhe më e keqja nuk kanë për çfarë të qëndrojnë.
Në vendet që zhvillohen me ritme të shpejta si Izraeli, Koreja e Jugut apo Finlanda shkenca nuk është një zë buxhetor është një prioritet kombëtar. Në Maqedoninë e Veriut, ajo trajtohet si një “thirrje vullnetare” për aplikim. Kjo nuk është mënyra për të ndërtuar dijen.
Nëse nuk kemi dije, nuk kemi as shtet. Po, shëndetësia është jetike. Po, infrastruktura është e domosdoshme. Por dijen nuk mund ta blejmë, as ta importojmë. Dhe kur neglizhojmë shkencën, prodhimi i injorancës bëhet institucional. Shndërrohemi në një shoqëri që mbijeton me teori konspirative, me teknologji të huazuar dhe me ndihma të përkohshme.
Prandaj, rritja e buxhetit duhet përshëndetur, por ajo nuk duhet të na verbojë përballë mungesave që ende mbeten të mëdha. Sot, më shumë se kurrë, duhet të kuptojmë se investimi në shkencë nuk është kosto. Është garanci për të ardhmen. Dhe për një vend që aspiron integrim dhe zhvillim, nuk ka rrugë tjetër përveç dijes. Në fund të fundit, kombet që nuk investojnë në dije, përfundojnë duke pësuar në regres. /Zhurnal.mk