Shkurtimi i buxhetit në gjyqësi thellon ndikimin politk e kjo defunksionalizon punën e tyre!

nga I.A

Shkup, 30 korrik – Gjyqësori është pushteti i tretë sipas radhitjes së pushteteve, që duhet të kontrollojë dy pushtetet tjera atë legjislativ dhe ekzekutiv. Por, në Maqedoninë e Veriut ky pushtet ka stagnuar së punuari dhe duket sikurse është jofunksional. E në vend se të merren vendime e masa konkrete të cilat rrisin e rikthejnë besimin e humbur në drejtësi ndodhë e kundërta, zvogëlohet buxheti në organet e drejtësisë. E ky vendim pra shkurtimi i buxhetit të prokurorisë dhe gjyqësorit vë në pikëpyetje punën dhe funksionimin e rregullt të punës së tyre. Përmes këtyre metodave bëhet më e lehtë kapja e pushtetit të tretë, pra gjyqësorit, shkruan Zhurnal.

Shkurtime i buxhetit në drejtësi është goditje pasi rrit varshmërinë –

Shkurtimi i buxhetit të prokurorisë dhe gjyqësorit vë në pikëpyetje punën dhe funksionimin e rregullt të punës së tyre. Kjo do të ishte një goditje e madhe për sistemin e drejtësisë vlerëson gjykatësi Osman Kadriu. Sipas tij, shkurtimi i buxhetit mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ushtrimin e kompetencave që ka Prokuroria Publike edhe gjyqësori, nga shkaku se lufta kundër korrupsionit është një detyrë prioritare e tërë pushtetit shtetëror të Maqedonisë.

“Duhet të sigurohet një pavarësi me të vërtetë financiare e pushtetit gjyqësor në tërësi duke përfshirë edhe Prokurorinë Publike edhe gjyqësorin që të mund të realizohet edhe kompetenca e tyre. Kompetenca e tyre është mjaft e rëndësishme, është delikate është me përgjegjësi të theksuar, sidomos tash kur punohet për luftën kundër korrupsionit, kundër kriminalitetit të theksuar dhe devijimeve tjera të shoqërisë”, tha Osman Kadriu, gjykatës kushtetues, për TV21.

Me kushtetutë kemi ndarje të pushtetit në atë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, por kjo që të funksionojë duhet të punohet nëpërmjet mekanizmave të shtetit, që duhet t’i siguroj qeveria dhe parlamenti, thotë Osmani. Në pyetjen se a mendon se pushteti do t’i hakmerret opozitës dhe a ka indicie për momentin për një veprim të tillë Osmani thotë:

“Tani për tani jam i mendimit se masat që i ndërmerr qeveria për korrupsionin janë të arsyeshme kanë bazë edhe juridike edhe politike edhe ekonomike, në at drejtim duhet të përcaktohet edhe politika aktuale e qeverisë e parlamentit dhe vetë gjyqësorit, por theksoj në qoftë se paraqiten simptomë, elemente dhe dyshime se kinse me luftën kundër korrupsionit do të mundohet qeveria, pushteti aktual, të bëjë hakmarrjen kundër atyre të bllokut maqedonas dhe të bllokut shqiptar që janë në opozitë, një dukuri e tillë do të sanksionohet dhe assesi nuk duhet të lejohet”, përfundoi Kadriu.

Ndryshe buxheti i organit gjyqësor me propozimin për ribalancim është zvogëluar për 65.661.000 denarë. Ky propozim është kundërshtuar në Komisionin Parlamentar për Financim dhe Buxhet nga përfaqësuesit e Këshillit Buxhetor Gjyqësor dhe të Prokurorisë Publike Shtetërore Silvia Janevska dhe Ljubomir Kocevski. Ata janë njëzëri thanë se nuk duhet të ketë ulje të mjeteve të parapara për gjyqësorin dhe prokurorinë, sepse kjo do të ndikojë në autonominë e tyre dhe cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë. Propozimin e ka kundërshtuar edhe Shoqata e Prokurorëve Publik të Maqedonisë.

Shpenzimet për mbrojtjen e lëndëve të vjetruara me ndryshimet e fundit në Kodin penal bien në kurriz të qytetarëve, pasi parat do të merren nga buxheti shtetit –

Problem tjetër serioz me gjyqësorin është edhe zvarritja e lëndëve të shumta të cilat pluhërosen në sirtar pa u procesuar asnjëherë. E gjithë kjo ka koston e vet përpos që ulë besimin në gjyqësi se raste të caktuara as që hetohen, ndikon negativisht edhe në buxhetin e shtetit.

Shpenzimet për mbrojtjen e lëndëve të vjetruara me ndryshimet e fundit të Kodit Penal bien në kurriz të buxhetit të shtetit. Mjetet që të pandehurit i kanë paguar avokatëve me vendim të Gjykatës do duhen tu kthehen palëve. Që shpenzimet të jenë të pranuara, avokatët duhen të dërgojnë kërkesë para gjykatës, të paraqesin shpenzimet reale, ndërsa deri më tani gjykata nuk ka marrë një vendim të tillë, informuan në brifingun e sotëm në Gjykatën Themelore -Shkup.

Shuma e cila duhet të ju paguhet avokatëve, përcaktohet në bazë të kërkesës që i parashtrohet gjyqtarit, pra trupit gjykues që ka trajtuar lëndën, janë ofruar prova për pagesën nga pala që pastaj gjykata t’i kthej ato mjete.

“Gjykata penale në këtë rast kërkon prova se këto shpenzime janë paguar më herë. Dëshmi është kuponi fiskal, certifikatë nga DAP ose certifikatë nga llogaria bankare, ku mundet të shohim hyrjen dhe daljen e mjeteve, që të mund si shpenzime reale t’i paguajmë, derisa nuk na jepen për mbikëqyrje, do të thotë se ka ndonjë problem. Dhe më pas këto shpenzime ju kthehen palëve”, sqarojnë nga Gjykata penale.

Përveç shpenzimeve të avokatëve, gjykata duhet t’i kthej edhe shpenzimet e bëra për ekspertizë, ndërsa të akuzuarit në këto raste do të mund të kërkojnë kompensim nga shteti për kohën e kaluar në paraburgim.

Këto veprime ulin edhe më shumë besimin në gjyqësi –

Një sondazh i OSBE-së që u publikua gjatë këtij viti zbuloi të dhëna shkatërruese mbi punën e gjyqësorit. 72 për qind e gjyqtarëve të anketuar nuk pajtohen se Këshilli Gjyqësor është mbrojtës i pavarësisë së gjyqësorit. Më shumë se gjysma e prokurorëve në shtet besojnë se këshilli i tyre nuk vendos në mënyrë të pavarur. Sondazhi vjen në një periudhë trazirash në këshillin gjyqësor që ka rezultuar me dorëheqje. Faktori ndërkombëtar e vlerësoi trupin si të paligjshëm.

Për më tepër, si gjyqtarët ashtu edhe prokurorët publikë shprehën mosbesim të konsiderueshëm në punën e këshillave të tyre, ku tre nga katër gjyqtarë të anketuar u shprehën se nuk besojnë se Këshilli Gjyqësor mbron me sukses pavarësinë gjyqësore, ndërsa më shumë se gjysma e prokurorëve publikë të anketuar tregojnë se nuk besojnë se Këshilli i Prokurorëve Publikë merr vendime në mënyrë autonome dhe të pavarur.

Prandaj, për të ecur para Maqedonia e Veriut është e detyruar që krahas gjitha reformave tjera të bëj edhe reformat e duhura dhe shumë të nevojshme në sektorin e gjyqësisë, fillimisht duke e departizuar pastaj duke e lejuar që të funksionojë pa presione politike, në mënyrë që të ketë kuptim të plotë si pushtet korrigjues. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More