Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyu për në datën 5 janar seancën paraprake ndaj kryebashkiakut Erjon Veliaj.
Sipas medieve, shkak për këtë shtyrje të kësaj seance, ku pritej të vendosej nëse dosja do të kalonte për gjykim, apo do të rikthehej në SPAK për hetime të mëtejshme, është bërë largimi nga ana e Kryebashkiakut të avokatit mbrojtës Artan Gjermeni.
Vendimi i Veliajt për largimin e avokatit, erdhi pas rrëzimit të kërkesës nga GJKKO për të mos qëndruar në kafaz gjatë seancave gjyqësore. Në këto kushte, Gjykata i caktoi Veliajt si avokat kryesisht, Valentina Teodoreskun.
Kryebashkiaku i Tiranës, sipas medieve, kërkoi revokimin e vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila ka refuzuar disa kërkesa të bëra nga mbrojtja e tij gjatë procesit gjyqësor.
Veliaj theksoi se vendimi i gjykatës ka shkelur të drejtat e tij kushtetuese dhe ligjore për një proces të drejtë, duke theksuar se nuk është informuar në mënyrë të plotë dhe efektive për akuzat kundër tij.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”, kërkuar nga SPAK. Veliaj akuzohet në nëntë raste për korrupsion pasiv. Gjithashtu akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futjen e sendeve të paligjshme në burg.