Shkup, 3 nëntor – Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, ka propozuar që të shqyrtohet mundësia për vendosjen e një kufizimi në numrin e mandateve që mund të ketë një kryetar komune – maksimalisht dy mandate radhazi për të njëjtin person.
Në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në MRT1, Siljanovska-Davkova theksoi se, në kontekst të zgjedhjeve lokale, është e nevojshme të mendohet për një zgjidhje ligjore që do të parandalonte mbajtjen e pushtetit vendor për një periudhë të gjatë nga i njëjti person.
“Sikurse ekziston kufizim në sistemet parlamentare për presidentët me funksione ceremoniale, duhet të jem e sinqertë – sistemi ynë i vetëqeverisjes lokale në fakt funksionon si një sistem gati presidencial, me kompetenca shumë të forta për kryetarët e komunave. Kjo është arsyeja pse shpesh shohim ministra apo deputetë që konkurrojnë për pozitat e kryetarëve të komunave”, deklaroi ajo.
Sipas Siljanovska-Davkovës, një tjetër problem është mungesa e një pushteti ekzekutiv shtesë përveç kryetarit të komunës – siç do të ishte një qeveri lokale, një këshill ekzekutiv apo trupa të tjera drejtuese – gjë që, sipas saj, sjell një përqendrim të madh të pushtetit.
“Kjo e bën funksionin e kryetarit të komunës të ngjashëm me atë të presidentit amerikan, me një pushtet shumë të fortë. Në një mjedis të vogël, kjo mund të çojë drejt një ‘bonapartizmi lokal’, me kompetenca të tepërta dhe madje një lloj rifeudalizimi. Për më shumë se njëzet vjet, ne kemi të njëjtët kryetarë komunash. Kjo, në disa raste, tashmë ngjan me monarkizëm republikan”, shtoi Siljanovska-Davkova.