Somalia e hodhi poshtë me forcë njohjen zyrtare të Somalilandit nga Izraeli, një shtet i vetëshpallur në veri të vendit që ka qenë praktikisht i pavarur për disa dekada, ndërsa milicia “Houthi” e mbështetur nga Irani shprehu mosmiratimin e saj.
Presidenti Hassan Sheikh Mohamud tha se qeveria e tij nuk do ta pranonte këtë veprim, pasi shkelte sovranitetin dhe unitetin e Somalisë.
“Somalia do të përdorë të gjitha mjetet e disponueshme për t’u mbrojtur kundër agresionit të Izraelit përmes kanaleve diplomatike”, tha Mohamud në një fjalim para parlamentit të transmetuar në televizionin shtetëror.
“Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu duhet ta dijë se askush nuk mund ta ndajë popullin tonë dhe SE Somalilandi na përket neve”, shtoi ai.
Izraeli u bë vendi i parë në botë që njohu Somalilandin si shtet sovran.
Somalilandi, një rajon me shumicë myslimane në Somalinë veriore me vetëm disa milionë banorë, u nda nga vendi pas disa vitesh luftë civile dhe rënies së qeverisë në vitin 1991.
Kryeministri somalez, Hamza Abdi Bari tha për transmetuesin egjiptian Al-Kahira Al-Ikhbariya se kryeministri izraelit po përpiqej të shfrytëzonte situatën aktuale politike dhe rajonale për të fituar një pikëmbështetje në Bririn e Afrikës.
Media izraelite theksoi se Somalilandi ndodhet jo shumë larg Ngushticës së rëndësishme strategjike Bab al-Mandab, ku milicia jemenase “Houthi” ka sulmuar vazhdimisht anije tregtare ndërkombëtare me lidhje të dyshuara me Izraelin.
“The Times of Israel” shkroi se qasja në territorin dhe hapësirën ajrore të Somalilandit do ta bënte më të lehtë për Izraelin të kryente sulme kundër “Houthi” dhe t’i monitoronte ata.
Në përgjigje të veprimit izraelit, udhëheqësi i “Houthi” të mbështetur nga Irani, Abdul-Malik al-Huthi, tha se çdo prani izraelite në Somaliland konsiderohej nga forcat e armatosura si një objektiv ushtarak.
“Njohja përbën një akt agresioni kundër Somalisë dhe Jemenit dhe një kërcënim për sigurinë e rajonit”, tha ai.
“Houthi” nisi sulme të përsëritura kundër Izraelit gjatë luftës në Gaza, me forcat ajrore izraelite që kanë sulmuar gjithashtu objektiva në të gjithë Jemenin.
Ndërsa sulmet janë ndalur që nga armëpushimi në Gaza, udhëheqësi i “Houthi” tha se grupi i tij nuk do të lejonte që një pjesë e Somalisë të shërbente si bazë për Izraelin.