Prokuroria e Posaçme SPAK goditi të hënën një organizatë kriminale me shtrirje ndërkombëtare, që bërthamën e saj shqiptare e kishte të përqendruar në Elbasan.
Në totalin e 21 masave të sigurisë të caktuara nga GJKKO për këtë hetim radhiteshin edhe ish-gjyqtarë e ish-zyrtarë të lartë të Policisë, që dyshohet të kenë favorizuar anëtarët e grupit, lidhje miqësore të të kërkuarit nga drejtësia Suel Çela, shkruan A2 CNN.
Përmes një njoftimi zyrtar SPAK konfirmoi lëshimin e 18 urdhër-arresteve, një pjesë e të cilëve u ekzekutua, një masë sigurie “arrest në shtëpi” dhe dy masa “detyrim për paraqitje”. Sipas burimeve jozyrtare, në pranga përfundoi ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, që prej disa muajsh vuante një masë sigurie “arrest në shtëpi” si e dyshuar në një tjetër hetim të SPAK.
SPAK tha se operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë është mbështetur nga Europol dhe agjencitë e tjera ligj-zbatuese shqiptare dhe evropiane. Për të njëjtin hetim, Gjykata e Posaçme caktoi masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” për gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno.
SPAK nuk sqaroi akuzën që rëndon ndaj tyre, apo arsyen e caktimit të masës së sigurisë. Pasditen e së hënës, Hoxha e Qyno mbërritën në SPAK ku pas një orë qëndrimi u larguan teksa mbanin në duar akte dhe pajisje elektronike që u ishin sekuestruar më parë.