Spiropali: Shqipëria brenda 2027-s do të mbyllë negociatat, anëtarësim në BE brenda dekadës

nga D. V.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali replikoi në seancën e sotme plenare me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Spiropali shprehu indinjatën për aksionet e PD-së  në Bruksel ku theksoi ajo, i bëhet opozitë Shqipërisë.

“Jo sepse dua të bëj replikë me ju, por dua të shpreh jo vetëm shqetësimin, por edhe indinjatën time, për aksione të tilla alla opozite shqiptare, dhe nuk po i ndaj, kur në dyert e Brukselit, në dyert  e të gjithë partnerëve tanë nuk i bëhet opozitë qeverisë, as flitet për standarde, as kërkohet përmirësimi i standardeve, por i bëhet opozitë Shqipërisë”, tha Spiropali.

Kryeparlamentarja theksoi se, poshtërohet Shqipëria duke thënë të pavërteta haluçinante që nuk guxojnë t’ia thonë as armiqtë më të përbetuar të saj.

Spiropali u shpreh se, atë që nuk guxon ta thotë racisti më i fundit në Europë, e thotë ai që quhet lideri i opozitës shqiptare.

“Në fakt, poshtërohet Shqipëria, thuhen të pavërteta haluçinante që nuk bazohen në asnjë realitet dhe në asnjë raport, ku Shqipërisë nuk guxojnë t’ia thonë as armiqtë më të përbetuar të saj. Dhe nuk guxon ta thotë për Shqipërinë as racisti më i fundit në Europë, atë guxon ta thotë ai që quhet lideri i opozitës shqiptare”, tha Spiropali.

“Më vjen shumë keq që ju bëheni vegla të tij, më vjen shumë keq që bëheni vegla të një njeriu të vetëm, i cili nuk përballet me qeverinë, nuk bën analizën  e humbjes, e cila është mbi 200 mijë vota opozitare, që janë humbur. Ju nuk bëni  analizën as në qarqet tuaja, as në zonat tuaja ku mbani përgjegjësi. Ju flisni për kriminalizim të  Shqipërisë, në Bruksel nuk u fol asfare me gjuhën e OSBE/ODIHR-it dhe të  raportit, që në doni të dini opinionin tim, sigurisht që raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it do të vihet në çdo tryezë deputeti dhe në çdo institucion që ka për detyrë  të reflektojë për rekomandime; ju  flisni në këto tryeza me  gjuhën e atyre që nuk urrejnë qeverinë, as Edi Ramën, por urrejnë Shqipërinë dhe ju njehsoni Shqipërinë me Edi Ramën, sepse ju nuk mund të pranoni që ju ka mundur në dhjetë gara elektorale dhe kështu siç  flisni dhe veproni ju, do t’ju mundë gjithmonë sepse nuk ka shqiptar  që mund të pranojë një gjuhë të tillë për Shqipërinë”, tha ajo.

Spiropali theksoi se, Shqipëria është ajo që brenda  2027-s  do të  mbyllë  negociatat dhe  do të  anëtarësohet në Bashkimin Europian  brenda kësaj dekade.

“Shqipëria nuk është një narkoshtet, Shqipëria nuk  është një vend i kriminalizuar, Shqipëria patjetër ka problemet e saj, të cilat adresohen, Shqipëria është ajo që thonë raportet e partnerëve tanë, të cilët na shohin me lupë, nga Komisioni Europian, te Komisionerja për Zgjerimin, te Parlamenti Europian dhe te përfaqësuesit më të lartë të tyre”, tha Kryetarja e Kuvendit.

“Shqipëria është ajo që brenda 2027-s do të mbyllë negociatat me BE-në, me apo pa ju, dhe do të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, jo për ne, jo  vetëm për socialistët, por për të gjithë fëmijët e këtij vendi”, theksoi Spiropali.

“Mos i dilni përballë fatit europian të Shqipërisë, është tren që kalon shumë shpejt; mund t’ju duket si dritë  në fund të  tunelit, por në fakt është treni që po ju vjen përballë”, përfundoi Spiropali.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More