Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar për sulmimin e llogarive zyrtare në rrjetin social `Instagram` të partisë, kryetarit Lumir Abdixhiku, nënkryetares Doarsa Kica – Xhelili, kryetarit të Forumit të Rinisë, Paris Guri dhe disa kandidatëve të tjerë për deputetë.
“Këto llogari janë shënjestruar qëllimisht dhe në mënyrë të kooridnuar, me qëllim dëmtimin e lirisë së shprehjes dhe ndërprerjen e procesit demokratik në prag të zgjedhjeve të ardhshme”, thuhet në reagimin e tyre.
Në reagim më tutje thuhet se kanë pranuar dhjetëra mijëra pëlqime false në postimet e këtyre llogarive për të dëmtuar praninë online të këtij subjekti politik.
“Sa për informacion ne kemi ndërmarrë masa të menjëhershme. Mbrëmë vonë informuam zyrtarisht Meta-n për këtë aktivitet të pazakontë, duke ofruar të gjitha detajet e nevojshme dhe duke kërkuar mbështetjen e tyre për të adresuar çështjen”, thuhet në reagim të LDK-së.