Surprizë festive për efektivët shqiptarë në Bullgari

nga D. V.

Efektivët e Forcave të Armatosura të dislokuar me mision në Bullgari u surprizuan në prag të fundvitit, duke pasur mundësinë të kalojnë momente të veçanta me familjarët e tyre.

Gjatë vizitës në bazën e Grupbatalionit shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo (Bullgari), u bë i mundur takimi i ushtarakëve me familjarët e tyre brenda bazës, një moment i veçantë pas një periudhe të gjatë shërbimi larg shtëpisë.

Ky gjest simbolik vlerëson përkushtimin dhe sakrificën e efektivëve tanë në misione ndërkombëtare, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të familjeve të tyre.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në një postim në rrjetet sociale u shpreh se beson me zemër se Forcat e Armatosura nuk janë vetëm njerëzit e uniformës, por edhe familjarët e tyre, të cilët mbajnë me forcë të heshtur peshën e sakrificës.

“Çdo efektiv që shërben jashtë vendit, përveç profesionalizmit dhe përkushtimit, merr me vete vlerat e familjes, të komunitetit dhe të Kombit. Në këto ditë festash, më e pakta që mund të bënim ishte t’i afronim, qoftë edhe për disa orë, me familjarët që i presin me mall”, tha Vengu.

Ministri Vengu shprehu urimet e rastit për çdo njeri në uniformë që shërben në misione jashtë vendit.

“Sakrifica juaj dhe e familjeve tuaja njihet dhe vlerësohet”, përfundoi Vengu.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More